Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Deklaratë datë 29 Tetor 2020 e Këshillit të Lartë Gjyqësor për respektimin e figurës së gjyqtarit

Në datën 08.10.2020, gjatë transmetimit të edicioneve informative në televizion, janë përcjellë pamje lidhur me protestën e disa shtetasve (palë ndërgjyqëse në një proces gjyqësor), të cilët kundërshtonin vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër, sipas të cilit është vendosur shpallja e moskompetencës tokësore për gjykimin, si dhe dërgimi i akteve për gjykim Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, nën juridiksionin e së cilës ndodhet territori ku janë të vendosura pasuritë e paluajtshme. Ndër të tjera, në kronikë është transmetuar gjuhë jo etike dhe fjalor fyes ndaj gjyqtares së çështjes.

 Si organ i ngarkuar nga kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Edhe në kronikat televizive të datës 29.9.2020, gjatë pasqyrimit të ngjarjeve të zhvilluara para godinës së Gjykatës Administrative të Apelit, në Tiranë, një grumbull personash me pankarta nëpër duar kanë reaguar me fjalë fyese në drejtim të gjyqtarëve, të pakënaqur nga zgjidhja e një çështjeje konkrete të gjykuar disa muaj më parë.

Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.

Sjellim në vëmendjen e opinionit publik se Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton rolin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër, edhe media duhet të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, që cenojnë figurën e gjyqtarit. Respekti ndaj gjykatës dhe figurës së gjyqtarit i shërben si forcimit të drejtësisë, ashtu edhe lehtësimit të komunikimit efektiv me publikun rreth veprimtarisë së sistemit gjyqësor.

 Këshilli i Lartë Gjyqësor, i udhëhequr nga parimet e profesionalizmit, transparencës, ndershmërisë, llogaridhënies dhe besueshmërisë, është i angazhuar për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, ku një ndër objektivat e tij kryesorë është forcimi i bazave për përmirësimin e marrëdhënieve të gjyqësorit me median, në çdo rast duke garantuar respektin reciprok.

Back to top