Aktivitet datë 5 Tetor 2020, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës
Sot me datë 05.10.2020, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës, ku ishin të ftuar drejtues të institucioneve kryesore të drejtësisë, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistojnë procesin e reformës në drejtësi në vendin tonë, etj. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Llagami, pasi i uroi suksese në rrugëtimin e tyre profesional, u shpreh se diplomimi i magjistratëve të rinj është një provë bindëse për të gjithë, edhe për ata më skeptikët, që reforma në drejtësi do siguroi një të ardhme evropiane për Shqipërinë.
Në fjalën e saj, znj. Llagami dha një mesazh drejtpërdrejtë për të sapodiplomuarit nga Shkolla e Magjistraturës, duke theksuar se: “Drejtësia duhet të jetë edhe për atë që është i pamundur, i varfër, i diskriminuar apo i nënpërfaqësuar. Ju duhet të jeni shembull besimi me figurën tuaj të pastër, me paanësinë dhe profesionalizmin si për palën që e fiton dhe ashtu edhe për ata që humbasin një çështje. Edhe ata që e humbasin një çështje duhet të kenë besim te drejtësia, prandaj nuk është e lehtë të jesh gjyqtar i mirë. Sepse, të jesh gjyqtar i mirë nuk do të thotë të dish mirë ligjin. Të jesh gjyqtar i mirë kërkon përulësi, kërkon qetësi, vetëpërmbajtje dhe kuptim për situatat jetësore të individëve nga të gjitha shtresat e shoqërisë të cilëve do tu jepni drejtësi”.
Në këtë kontekst, znj. Llagami tha se ky vit ishte i vështirë për sistemin e drejtësisë, pasi sot më shumë se kurrë është e rëndësishme të kemi një Gjykatë të Lartë, efektive dhe me standarde më të larta etiko-profesionale. Në përfundim të fjalës së saj, znj. Llagami u shpreh se të diplomuarit e sotëm do bëhen gjyqtarët e një fillimi të ri, të cilët pavarësisht vështirësive aktuale, do të bëjnë drejtësinë evropiane që të gjithë duam.