Njoftim për shtyp 25 Qershor 2020
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin Vjetor mbi aktivitetin e Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe sistemit gjyqësor për vitin 2019.
Në këtë raportim vjetor znj. Llagami paraqiti në mënyrë të përmbledhur gjithë veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe sistemit gjyqësor në tërësi gjatë vitit 2019.
Në këtë prezantim u theksuan arritjet dhe problematikat e hasura përgjatë një punë voluminoze të kryer nga Këshilli në draftimin dhe miratimin e një sërë aktesh nënligjore si dhe ndërmarrjen e një sërë hapash, veprimesh dhe iniciativash me qëllim funksionimin e Këshillit dhe sistemit gjyqësor.
Në fjalën e saj znj. Llagami paraqiti angazhimet konkrete të ndërmarra nga Këshilli për të përmirësuar punën e tij dhe sistemit gjyqësor si dhe vuri theksin tek sugjerimet për të adresuar zgjidhje efikase problemeve dhe situatave të hasura deri tani nga zbatimi i Reformës në Drejtësi.
Gjatë prezantimit të këtij raporti Kryetarja znj. Naureda Llagami iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Fjala e plotë e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami.
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor ju falënderoj për mundësinë për të prezantuar:
- veprimtarinë e institucionit gjatë vitit të parë të konstituimit të tij dhe disa nga çështjet dhe sfidat më të mëdha me të cilat KLGJ është përballur,
- si dhe gjendjen e sistemit gjyqësor bazuar në të dhënat cilësore dhe sasiore të raportuara nga gjykatat.
Ky prezantim përveçse një detyrim ligjor që rrjedh nga ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, është një obligim moral ndaj qytetarëve shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtar që kanë mbështetur përpjekjet tona në zbatim të reformës në drejtësi.
Për këtë arsye, ne sot, nuk jemi këtu vetëm për afirmimin e arritjeve, por më shumë se kurrë, të përgjegjësisë për llogaridhënie, përmirësim të cilësisë së shërbimeve dhe profesionalizmit, rritjen e aksesit të publikut dhe veçanërisht grupeve më të ndjeshme të shoqërisë por edhe pavarësisë dhe integritetit të sistemit. Ndaj, kemi ende rrugë për të bërë në këtë drejtim!
Arkitektura e sistemit të reformuar të drejtësisë do të merrte jetë me krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), më 12 dhjetor të 2018, si organi i pavarur kushtetues qeverisës i gjyqësorit. Krahasuar me paraardhësin e tij (KLD), Këshillit i janë atribuuar kompetenca më të gjera si në drejtim të administrimit të gjykatave ashtu dhe në përcaktimin e standardeve etike profesionale të gjyqtarëve dhe vlerësimin e tyre, me qëllim garantimin e një sistemi funksional, të paanshëm, efiçent dhe me fokus qytetarin.
Përbërja e Këshillit me anëtarë gjyqtarë dhe jogjyqtarë me kohë të plotë si dhe mungesa e aktorëve politik është një garanci më shumë për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor. Kjo në kuadër të rritjes së profesionalizmit, transparencës dhe cilësisë së vendimmarrjes.
Dua të sjell në vëmendjen tuaj se, me konstituimin e tij, Këshillit të Lartë Gjyqësor i lindi fillimisht nevoja të normonte veprimtarinë e tij, si parakusht për ligjshmërinë e gjithë vendimmarrjes së tij. Me ndihmën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, Këshilli ka hartuar dhe vazhdon të punojë për hartimin e rregullave për funksionimin e të gjitha proceseve dhe vendimmarrjeve të veta.
Gjatë vitit 2019, KLGJ-ja ka zhvilluar 57 mbledhje plenare dhe miratuar 315 vendime (ose 6 herë më shumë se paraardhësi i tij). Nga këto vendimmarrje, 12 prej tyre janë akte të mirëfillta nënligjore të cilat janë publikuar në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë që 46 të tjera janë akte kolektive dhe akte rregullatore të brendshme.
Përveç veprimtarisë plenare, KLGJ ka ngritur gjatë 2019, sipas detyrimit ligjor, edhe 4 Komisione të Përhershme që funksionojnë në fushat e Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit (ka hartuar dhe miratuar 24 akte nënligjore); Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale (35 akte nënligjore); Zhvillimit të Karrierës (226 akte nënligjore) dhe Disiplinës.
Për të trajtuar çështje të veçanta, të cilat kërkonin fleksibilitet vendimmarrjeje dhe shpejtësi veprimi, Këshilli ka krijuar 6 Komisione të Përkohshme. Veprimtaria e tyre është e lidhur me procese ad hoc të ndërmarra në kuadër të adresimit të problematikave me të cilat është përballur sistemi gjyqësor, të tilla si: vlerësimi etik dhe profesional në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve; verifikimi i kritereve të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë; hartimin e një plani veprimesh për reduktimin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit në Gjykatën e Lartë; si dhe hartimin e Rregullores së Brendshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, etj.
Megjithatë, ndonëse krijimi formalisht i KLGJ-së ndodhi në dhjetor të 2018, burimet financiare, njerëzore dhe infrastrukturore, ende edhe pas 1 viti, mbeten pengesë për funksionimin me kapacitet të plotë të Këshillit. Dua të sjell në vëmendjen tuaj që buxheti për Këshillin u alokua 7 muaj pas konstituimit të tij (korrik 2019), ndërsa kapacitetet njerëzore janë realizuar deri më sot në masën 20% për shkak të infrastrukturës së pa përshtatshme, situatë kjo e cila shpresoj se do të marrë zgjidhje së shpejti.
1) Plani Strategjik 2019-2020
Gjatë veprimtarisë së saj, KLGJ ishte e vetëdijshme që nuk mund të përmbushte plotësisht të gjitha pritshmëritë e opinionit publik në vetëm një vit të funksionimit të tij. Ndaj në funksion të orientimit strategjik, Këshilli ka ndërmarrë një proces dinamik planifikimi për të bashkërenduar përpjekjet me aktorë të tjerë në fushën e drejtësisë, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve gjyqësore, transparencës dhe forcimit të besimit të publikut.
Më 19 korrik 2019, Këshilli miratoi Planin e tij të parë Strategjik 2019-2020, i cili është një udhërrëfyes për veprimtarinë e vetë Këshillit dhe sistemit gjyqësor në tërësi. Plani Strategjik zbërthen synimet në objektiva operacional dhe aktivitete konkrete duke përcaktuar qartësisht njësitë zbatuese, faturën financiare si dhe indikatorët cilësorë dhe sasiorë për vlerësimin e rezultateve në një hark kohor të përcaktuar. 5 prioritetet e Planit Strategjik janë:
SYNIMI 1: Përshpejtimi i Reformës së Pushtetit Gjyqësor dhe Akordimit të Burimeve.
SYNIMI 2: Përcaktimi dhe Zbatimi i Standardeve për Ekselencë Gjyqësore.
SYNIMI 3: Ofrimi Efikas i Shërbimeve dhe Funksionimi më i Mirë i Gjykatave.
SYNIMI 4: Zhvillimi i Kapaciteteve të Brendshme të KLGJ-së.
SYNIMI 5: Hartimi i Strategjive të Efektshme për Komunikimin e Jashtëm.
Plani Strategjik i nënshtrohet një procesi monitorimi periodik, nga ku ka rezultuar se shkalla e realizimit të tij për vitin 2019 është 67%.
2) Procesi i rivlerësimit kalimtar
Në kuadër të plotësimit të detyrimit kushtetues për të kryer me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të të gjithë subjekteve të rivlerësimit, Këshilli mbështet organet e ngritura për këtë qëllim, duke përpiluar raportet e vlerësimit etik profesional të gjyqtarëve, si një nga tre shtyllat kryesore të këtij procesi.
Gjatë vitit 2019, janë depozituar pranë KPK-së gjithsej 99 raporte të analizimit të aftësive profesionale, të shoqëruara me 495 dosje gjyqësore. Ndërkohë që nga fillimi i procesit të rivlerësimit janë dorëzuar 220 raporte të tilla, e cila përbën pothuajse 50% të të gjithë subjekteve.
Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve ka pasur ndikim të konsiderueshëm në gjykatat e vendit, ku janë shkarkuar 62 gjyqtarë (vendim KPK dhe KPA). Me qëllim lehtësimin e efekteve të krijuara nga mungesa e burimeve njerëzore në sistem, Këshilli ka aplikuar një qasje pro aktive duke marrë një sërë masash emergjente, ndër të cilat theksoj:
- Emërimin dhe caktimin në detyrë në total të 25 magjistratëve të rinj dhe miratimin e 50 kuotave për magjistratë dhe ndihmës ligjorë. Aktualisht po ndjekin formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës 28 magjistratë dhe 6 ndihmës ligjorë.
- Caktimin e gjyqtarëve në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme. Gjatë vitit 2019, Këshilli ka caktuar 1209 gjyqtarë për gjykimin e çështjeve gjyqësore në gjykata të ndryshme.
- Krijimin e skemës së delegimit të gjyqtarëve, e cila u bë funksionale në fillim të vitit 2020.
- Transferimin e gjyqtarëveku gjatë periudhës së raportimit janë transferuar në total 12 gjyqtarë.
- Zgjedhja e zëvendëskryetarëve të gjykatave. Me qëllim ruajtjen e vijimësisë së ushtrimit të funksionit drejtues në gjykata, në kushtet kur 24 kryetarë gjykatash u shkarkuan si pasojë e procesit të Vettingut, KLGJ-ja ndërhyri duke miratuar rregullat mbi zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave. Aktualisht janë zgjedhur 36 zëvendëskryetarë nga 37 gjykatat në vend.
Në funksion të përzgjedhjes dhe emërimit të kandidatëve më profesionistë dhe me integritet të lartë, KLGJ-ja ka kryer brenda 1 viti një volum të lartë pune duke verifikuar 76 kandidatë: 53 kandidatë në fillim dhe përfundim të studimeve në Shkollën e Magjistraturës për vitin 2019 si dhe për 23 kandidatët që aplikuan për anëtarë në Gjykatën e Lartë nga radhët e juristëve të spikatur.
3) Harta e re gjyqësore
Me synim optimizimin e burimeve njerëzore dhe financiare, rritjen e eficencës së gjykatave, përmirësimin e shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve, si dhe minimizimin e kostove dhe pasojave të rivlerësimit kalimtar, Këshilli ka ngritur një grup ndërinstitucional pune, me qëllim vlerësimin dhe riorganizimin e kompetencave tokësore të gjykatave. Ky grup pune, përbehet nga disa anëtarë të KLGJ-së, gjyqtarë dhe kryetarë gjykatash, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë si dhe organizatat ndërkombëtare.
Metodologjia e aplikuar nga grupi i punës në hartimin e hartës së re gjyqësore konsiston në studimin e tre çështjeve të rëndësishme siç janë: popullsia, ngarkesa e çështjeve për secilin gjyqtar, si dhe numri i çështjeve të reja në gjykata.
Një faktor tjetër i rëndësishëm i marrë në konsideratë në vazhdimësi është edhe largësia midis qytetarëve dhe gjykatave, duke i dhënë kështu një rëndësi parësore garantimit të aksesit në drejtësi të qytetarëve, si dhe reduktimit të kostove, rritjen e cilësisë dhe performancës në dhënien e shërbimeve gjyqësore.
Pavarësisht problematikës së hasur në lidhje me saktësinë e të dhënave statistikore si dhe me mendimet e ndryshme të shprehura, grupi i punës ka arritur në një draft përfundimtar, i cili është duke u përpunuar nga Këshilli dhe do të paraqitet së shpejti për vendimmarrje.
Propozimi i përbashkët i KLGJ-së dhe Ministrit të Drejtësisë do të konsultohet me KLP-në, Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrin e Financave dhe palët e tjera të interesuara.
4) Një çështje prioritare e përfunduar me sukses nga KLGJ-ja ishte ngritja e Gjykatave të Posaçme për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar
KLGJ-ja në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, deklaroi fillimin e funksionimit të këtyre gjykatave më datë 18 dhjetor 2019. Ky proces u shoqërua edhe me caktimin në mënyrë të përhershme të 5 gjyqtarëve dhe në mënyrë të përkohshme të 13 gjyqtarëve, të cilët vinin nga gjykatat e krimeve të rënda.
Gjendja aktuale e këtyre gjykatave për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar është e tillë:
- Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kemi vetëm 5 gjyqtarë të emëruar në mënyrë të përhershme nga 11 që parashikon organika e saj.
- Ndërkohë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga 16 gjyqtarë që është organika e kësaj gjykate, aktualisht ushtrojnë funksionin 10 gjyqtarë. Nga këta të fundit, 6 janë gjyqtarë të caktuar në mënyrë të përkohshme dhe 4 gjyqtarë të emëruar në mënyrë të përhershme.
Me qëllim plotësimin e vendeve vakante në këto gjykata, Këshilli ka shpallur thirrjet për 5 pozicione të lira për secilën gjykatë. Në përfundim të afatit të aplikimeve, Këshilli ka marrë një numër të ulët aplikimesh. Përkatësisht:
- për gjykatën e posaçme të apelit – kanë aplikuar 3 kandidatë për 5 pozicione;
- për gjykatën e posaçme të shkallës së parë – ka aplikuar vetëm 1 kandidat për 5 pozicionet e shpallura.
Plotësimi me gjyqtarë i këtyre gjykatave ka hasur një sërë problemesh për shkak të disa dispozitave të paqarta të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku si transferimi ashtu dhe lëvizja paralele nuk janë të mundshme për këto gjykata. Për këtë qëllim, Këshilli, i ka kërkuar si Ministrisë së Drejtësisë ashtu edhe Kuvendit, ndryshimet e nevojshme ligjore. Pjesë e këtyre propozimeve ishte edhe adresimi i çështjes së pagës shtesë (shtesa për vështirësi në masën 50% të pagës bazë) të gjyqtarëve në këto gjykata. Kjo do të përbente një motivacion ekstra për nxitjen e më shumë aplikimeve, numri i tw cilave cila aktualisht është i ulët.
5) Situata në Gjykatën e Lartë
Përpara se të bëj një pasqyrim të gjendjes së sistemit gjyqësor, dua të ndalem më mënyrë të veçantë në trajtimin e një ndër prioriteteve kryesore të Këshillit që është rifunksionalizimi i Gjykatës së Lartë;
- Deri para pak muajsh, si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar, në Gjykatën e Lartë ushtronte funksionin vetëm 1 nga 19 gjyqtarët. Edhe para fillimit të procesit të vetingut, Gjykata e Lartë nuk ka qenë e plotësuar me numrin optimal dhe ligjor të gjyqtarëve.
- Stoku i çështjeve të mbartura pranë kësaj gjykate ka pësuar një rritje progresive me 5654 çështje më shumë se viti i shkuar.
- Sot Gjykata e Lartë ka rreth 34,300 çështje për t’u gjykuar.
Në funksion të adresimit të kësaj situate dhe me qëllim shndërrimin e kësaj gjykate në gjykatë karriere, KLGJ-ja ka miratuar një paketë të rëndësishme të akteve nënligjore. Kjo i hapi rrugë procedurave që lidhen me emërimin e gjyqtarëve në GJL nga radhët e juristëve të spikatur dhe nga radhët e gjyqësorit.
Në vijim të shpalljes së 4 pozicioneve vakante për në GJL nga radhët e juristëve të spikatur, në korrik dhe shtator të 2019, Këshilli ka realizuar procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për 22 nga 23 kandidatët. Nga ky proces rezultoi që: 3 kandidatë u kualifikuan dhe u emëruan me dekret Presidenti dhe 1 prej tyre është ende në shqyrtim.
Paralelisht me procesin e aplikimit nga ana e juristëve të spikatur, KLGJ hartoi edhe të gjithë bazën rregullatore për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve. Kjo mundësoi, më së fundi, plotësimin e kësaj gjykate me gjyqtar karriere.
Aktualisht, Këshilli ka hapur thirrjet për 6 pozicione të lira nga radhët e gjyqtarëve, me afate të ndryshme aplikimi. Nga 6 thirrjet e hapura, janë mbyllur 4 prej tyre ku evidentohet një numër i vogël aplikimesh të paraqitura. Përkatësisht, kanë aplikuar gjithsej vetëm 12 kandidatë, të cilët janë të njëjtët që kanë aplikuar në thirrje të ndryshme. Është e pritshme që po këto kandidatë të aplikojnë edhe në thirrjet e tjera që do të hapen së shpejti nga Këshilli.
- Pjesa më e madhe e këtyre kandidatëve e kanë kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar dhe një pjesë e vogël janë në proces (2 prej tyre). Këshilli ka kërkuar përshpejtimin e këtij procesi për kandidatët e mbetur, çka mund të sjellë zgjatjen në kohë të procesit.
- Pra deri në fund të 2020, Këshilli do të bëjë të mundur plotësimin e 6 pozicioneve të hapura, duke e çuar numrin e pritshëm të gjyqtarëve në këtë gjykatë në minimumin 10.
Për hapjen e thirrjeve për ngritjen në detyrë në GJL, Këshilli ka mbajtur parasysh:
- PËRGJEGJËSINË KUSHTETUESE për të garantuar mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor dhe moscenimin e funksionalitetit të gjykatave të tjera (veçanërisht të gjykatave të posaçme).
Aktualisht, sistemi përballet me:
- mungesa të burimeve njerëzore si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar,
- rritje progresive të numrit të çështjeve nga viti në vit,
- ngarkesë pune për gjyqtar disa-fishin e normës evropiane në vit
- si dhe me rritjen e stokut të çështjeve të prapambetura.
Këto problematika prekin direkt qytetarin e thjeshtë që i drejtohet gjykatave të shkallëve më të ulëta për të marrë drejtësi, ndërkohë që janë këto gjykata që përballojnë ngarkesën më të madhe me gati 90% të çështjeve gjyqësore në shkallë vendi.
- FRYMËN E LIGJIT, QË KONSIDERON RIPËRTËRITJEN E PËRBËRJES SË GJL RAST PAS RASTI, DUKE QENË LARGPAMËS NË QASJEN E TIJ.
Hapja e vendeve vakante me afate të ndryshme i shërben përtëritjes graduale të kësaj gjykate, që të mos gjendemi ne, ju dhe shoqëria shqiptare, para të njëjtës situatë pas 9 ose 10 vitesh. Pra, Këshilli, përmes këtij procesi, synon të shmang mosfunksionalitetin e Gjykatës së Lartë edhe në të ardhmen.
- PLOTËSIMI I VENDEVE VAKANTE VARET SI NGA DINAMIKA DHE NUMRI I APLIKANTËVE ASHTU DHE NGA KOHËZGJATJA E PROCEDURAVE PËR VERIFIKIMIN, VLERËSIMIN DHE RENDITJEN E KANDIDATËVE
Promovimi në GJL është i lidhur ngushtë me:
- Ritmet e procesit të rivlerësimit kalimtar
Një nga kushtet e kandidimit në këtë gjykatë është edhe kalimi me sukses i procesit të rivlerësimit. Aktualisht, kemi një numër shumë të vogël gjyqtarësh që kanë kaluar me sukses këtë proces, si dhe përmbushin kriterin tjetër ligjor, atë të eksperiencës profesionale jo më pak se 13 vit. Kjo do të thotë që rrethi i kandidatëve potencial për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë është i kufizuar. Sot, nga 103 gjyqtarë që i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar, vetëm 29 prej tyre janë konfirmuar me vendim të formës së prerë nga organet e rivlerësimit (KPK dhe KPA) nga të cilët 18 prej tyre plotësojnë kriterin e eksperiencës profesionale (duke përjashtuar 6 anëtarët e KLGJ-së).
Kjo dëshmon për një numër të vogël kandidatësh (18 kandidatë potencial për 14 vende vakante), gjë e cila kufizon mundësinë e përzgjedhjes dhe konkurrencën reale mes tyre. Për pasojë, procesi dhe plotësimi i vendeve vakante në GJL mund të perceptohet si i paracaktuar.
- MEMORANDUMI I MIRËKUPTIMIT ME USAID
Krahas plotësimit të numrit të gjyqtarëve, një masë tjetër e marrë nga Këshilli për rifunksionalizimin e GJL ka të bëjë me miratimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis KLGJ-së dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Ndër kontributet më të rëndësishme që Memorandumi ofron është mbështetja me burime njerëzore e administratës së kësaj gjykate për të ulur stokun e çështjeve gjyqësore të prapambetura. Gjithashtu, parashikohet përmirësimi dhe modernizimi i proceseve të punës në këtë gjykatë si dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit në funksion të transparencës dhe marrëdhënieve me publikun.
6) Transparenca
Transparenca si parakusht për vendimmarrje të drejtë ka udhëhequr të gjitha proceset vendimmarrëse të KLGJ-së që kanë të bëjnë me sistemin në tërësi (si rekrutimi, përzgjedhja, emërimi dhe promovimi i gjyqtarëve) ashtu dhe me shpërndarjen e burimeve njerëzore dhe financiare të vetë KLGJ-së. Vlen të theksohet se përpara hapjes së vendeve vakante në GJL apo edhe në Gjykatat e Posaçme, KLGJ-ja ka miratuar rregulla të detajuara duke përcaktuar në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke kritere dhe procedura transparente për kandidatët e interesuar. Kjo, me qëllim që procesi të mos cenohet dhe paragjykohet qoftë nga gjyqtarët ashtu dhe nga publiku i gjerë.
Transparenca si frymë e re ndërveprimi me publikun dhe aktorë të tjerë për të vendosur jo vetëm raporte transparente por njëkohësisht për të ndërmarrë një rol pro aktiv në kuadër të përmirësimit të treguesve të besueshmërisë së publikut. Në këtë kontekst përmendim:
- Organizimin e mbledhjeve të hapura;
- Faqen e re të interneti;
- Miratimin e Programit Institucional të Transparencës;
- Caktimin e Koordinatorit për të drejtën e informimit;
- Caktimin e Anëtarit të KLGJ-së për marrëdhëniet me publikun;
- Caktimin e gjyqtarëve për median nëpër gjykatat e juridiksionit të apelit;
- Hartimin e Strategjisë së KLGJ-së për komunikimit me publikun.
7) Bashkëpunimi
Këshilli, që në krijimin e tij, ka qenë i orientuar drejt një politike të hapur bashkëpunimi institucional duke ndërtuar ura bashkëpunimi me qëllim zbatimin e standardeve të pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit, si dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në këtë drejtim. Mozaiku i bashkëpunimeve është i larmishëm dhe përfshin si institucionet shtetërore të tilla si Kuvendin, Ministrinë e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile.
- Më konkretisht, me Ministrinë e Drejtësisë kemi bashkëpunuar në kuadër të hartimit dhe miratimit të Planit Strategjik të KLGJ-së 2019-2020, ndërkohë që me Kuvendin kemi propozuar adresimin e disa problematikave të rëndësishme të tilla si: plotësimin e pozicioneve të lira në gjykata; si dhe plotësimin me gjyqtarë të Gjykatave të Posaçme dhe adresimin e çështjes së pagës shtesë të gjyqtarëve në këto të fundit, ku legjislacioni në fuqi nuk është i plotë dhe paraqet vështirësi në zbatim.
ANALIZA E SISTEMIT, GJETJET
Gjatë vitit 2019, sistemi gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, është përballur me një ngarkesë pune në rritje.
1) Ngarkesa:
- Numri i çështjeve të reja është rreth 15% më i lartë në krahasim me vitin 2017.
- 96% e çështjeve të reja regjistrohen pranë gjykatave të shkallës së parë (81%) dhe apelit (15%), që janë gjykatat me të cilat përballen më shpesh qytetarët.
- Vetëm 4% e çështjeve janë regjistruar në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Tiranës mban 1/3 e çështjeve në shkallë të parë dhe ¼ e çështjeve në shkallë vendi. Gjykatat e Vlorës dhe Shkodrës vijnë në vendin e dytë për sa i përket ngarkesës së çështjeve (12,7% çështje të regjistruara).
2) Kapacitetet e gjykatave:
- 75% e gjykatave kanë funksionuar me kapacitet të reduktuar të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës;
- Kjo nënkupton që nga 408 gjyqtarë që është organika e miratuar me dekret Presidenti, sot që flasim, ushtrojnë funksionin vetëm 294 gjyqtarë. Aktualisht, sistemi ballafaqohet me 114 vende vakante.
- Norma aktuale është 10 gjyqtarë/100.000 banorë. Ky raport është më pak se 60% e normës evropiane.
- Situata është më problematike në lidhje me stafin mbështetës ku krahasuar me 55 staf mbështetës/100.000 banorë që është norma mesatare evropiane, Shqipëria rezulton të ketë përafërsisht 33 staf mbështetës/100.000 banorë.
Me qëllim rritjen e cilësisë dhe të efiçencës së drejtësisë, numri i gjyqtarëve por edhe ai i stafit administrativ mbështetës në gjykata ka nevojë të rritet. Kjo për shkak se as organika e miratuar (me dekret Presidenti) dhe as situata faktike e gjykatave nuk përmbushin nevojat reale për gjyqtar/staf mbështetës në rang popullate për të mundësuar evadimin në kohë dhe me cilësi të çështjeve gjyqësore në përputhje me standardet evropiane.
3) Norma e efiçencës (Treguesi ER):
Vlen, që sot të falënderoj gjyqtarët të cilët kanë treguar aftësi për t’u përballur me situatën duke bërë përpjekje për të ruajtur ritmin e zgjidhjes së çështjeve dhe mbajtur nën kontroll rritjen e stokut, pavarësisht rritjes së numrit të çështjeve të regjistruara dhe uljes së numrit të gjyqtarëve efektivë. Ato kanë rritur ndjeshëm rendimentin mesatar të punës për gjyqtar me mesatarisht 448,3 çështje të zgjidhura për gjyqtar, që shënon një rritje prej pothuaj 1/3 krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2019, sistemi gjyqësor ka mbajtur ritmin e zgjidhjes së çështjeve ku 65% e gjykatave kanë njohur përmirësime të ndjeshme. Ndërkohë që 35% e gjykatave ende nuk e arrijnë normën mesatare evropiane të këtij treguesi, veçanërisht:
- Gjykata e Lartë – e cila pothuajse nuk ka funksionuar gjatë këtij viti dhe,
- Gjykatat e Apelit – të cilat janë përballur më shumë se gjykatat e shkallës së parë me mungesa të gjyqtarëve, volum të lartë dhe kompleksitetit të çështjeve gjyqësore (veçanërisht atyre civile).
4) Stoku i çështjeve të prapambetura
Për vitin 2019, numri i çështjeve të mbartura nga viti 2018 është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë. Numrin më të madh të çështjeve të mbartura ose 72% të totalit e mbajnë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata e Apelit Tiranë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata e Lartë.
Stoku në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm ka pësuar rritje bazuar në shkaqe objektive që lidhet me reduktimin e numrit efektiv të gjyqtarëve si dhe rritjen e numrit të çështjeve të regjistruara në vitin 2019.
Me gjithë vështirësitë, disa nga gjykatat si ato Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë e kanë ulur stokun duke shënuar rritje të performancës krahasuar me një vit më parë.
5) Evadimi i çështjeve (Treguesi DT)
Në gjykatat e shkallës së parë, juridiksioni i përgjithshëm, norma mesatare e evadimit të çështjeve është ndjeshëm më e ulët se afati i arsyeshëm prej 2 vitesh përcaktuar në ligj dhe se norma mesatare evropiane e vendeve të BE-së, veçanërisht në çështjet penale.
Problematike mbetet situata në gjykatat e apelit, ku norma mesatare e evadimit të çështjeve kalon afatin e arsyeshëm për shqyrtimin e çështjeve të përcaktuar si nga ligji ashtu edhe atë të vendeve të BE-së, veçanërisht për çështjet administrative. Kjo sjell nevojën për nxitjen e përmirësimeve të mëtejshme. Kjo e dhënë reflekton:
- ngarkesën e lartë të çështjeve në gjykatat e apelit;
- disbalancimin e burimeve njerëzore në këto gjykata në raport me ngarkesën;
- si dhe disa aspekte procedurale të trajtimit të çështjeve të cilat lidhen me kuadrin ligjor në fuqi, duke ndikuar kështu në kohëzgjatjen e procedimit të tyre.
ANGAZHIMET E KLGJ-së PËR VITIN 2020
Në përfundim, Këshilli i Lartë Gjyqësor i dedikuar për garantimin e pavarësisë dhe mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, i vetëdijshëm dhe në njohje të thellë të situatës së tij, i ndërgjegjshëm për problematikat e hasura gjatë vitit të parë të ushtrimit të veprimtarisë institucionale, angazhohet që gjatë vitit 2020, të punojë për përmbushjen e një sërë prioritetesh ku ndër më kryesoret, theksoj:
- Vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi përmes hartimit dhe miratimit të akteve të tjera nënligjore të nevojshme për konsolidimin institucional të KLGJ-së si dhe adresimin në kohë të nevojave të gjykatave me qëllim dhënien e një drejtësie të shpejtë dhe pa vonesa për qytetarët;
- Përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në GJL dhe plotësimi i kësaj gjykate me të paktën 10 gjyqtarë;
- Përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë për 10 pozicione të lira, në Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të shkallës së parë dhe apelit;
- Vijimin e bashkëpunimit me organet e rivlerësimit kalimtar për prioritizimin e subjekteve të rivlerësimit si dhe përshpejtimin e përmbylljes së këtij procesi;
- Miratimi i Hartës së re gjyqësore;
- si dhe nisjen për herë të parë dhe përfundimin e procesit të vlerësimit etik-profesional të 121 gjyqtarëve, sipas programit të vlerësimit për vitin 2020, në përputhje me skemën e re të vlerësimit të gjyqtarëve.
KËRKESAT NDAJ KUVENDIT
Për sa më sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në lidhje me:
- Përmirësimin e kuadrit ligjor nëpërmjet rishikimit, veçanërisht të ligjeve nr. 115/2016, e nr. 96/2016 dhe nr. 98/2016, me qëllim pasqyrimin e ndryshimeve të nevojshme që mund të lindin gjatë zbatimit të tyre në praktikë;
- Rritjen e burimeve njerëzore në gjykata me të paktën 100 punonjës për administratën gjyqësore në shkallë vendi kur nevojat e raportuara vlerësohen me të paktën 300 punonjës.
- Mbështetjen financiare në investime për:
- rikonstruksionin apo ndërtimin e gjykatave, veçanërisht ato të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit;
- sisteme bashkëkohore të teknologjisë së informacionit, veçanërisht për krijimin e një Sistemi të ri për Menaxhimin e Çështjeve Gjyqësore si dhe mirëmbajtjen e sistemeve aktuale të gjykatave, deri në krijimin e këtij të fundit.