Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 10 Qershor 2020

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, së bashku me Zëvendëskryetarin z. Maksim Qoku, anëtarët dhe njëkohësisht kryetarët e Komisioneve të Përhershme të Këshillit, znj. Brikena Ukperaj, z. Ilir Toska dhe z. Medi Bici, prezantoi përpara Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë, Raportin Vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2019 dhe Gjendjen e Sistemit Gjyqësor.

Prezantimi i raportit u realizua nëpërmjet platformës elektronike online duke ofruar një panoramë gjithëpërfshirëse të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe rezultateve të tij gjatë vitit të parë të konstituimit.

Gjithashtu pjesë e këtij prezantimi ishte dhe analiza e thelluar dhe gjendja e sistemit gjyqësor në tërësi gjatë vitit 2019 e shprehur përmes indikatorëve të perfomancës së tij.

Kryetarja e KLGJ, znj. Llagami, theksoi se: “Këshilli i Lartë Gjyqësor i dedikuar për garantimin e pavarësisë dhe mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor dhe i ndërgjegjshëm për problematikat e hasura gjatë vitit të parë të ushtrimit të veprimtarisë institucionale, angazhohet që gjatë vitit 2020, të adresojë me përparësi plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, krijimin e një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve gjyqësore si dhe jetësimin e hartës së re gjyqësore”. Këto prioritete do të kërkojnë bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje si të Kuvendit të RSH-së dhe të Qeverisë.

Gjatë prezantimit të këtij raporti Kryetarja znj. Naureda Llagami iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Back to top