Thirrje për aplikim datë 15.05.2020
Projekti “Drejtësi për të Gjithë” në Shqipëri (më poshtë “Projekti”), i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është hartuar për të përmirësuar performancën e gjykatave shqiptare, përmes rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së gjykatave, me qëllim përfundimtar rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi gjyqësor. Në kuadër të Projektit, një nga Rezultatet e Pritshme është që gjykatat t’i kryejnë funksionet e tyre në mënyrë më efikase, si dhe të shmangin seancat joproduktive dhe vonesat e panevojshme. Në mbështetje të këtij rezultati, Projekti ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Gjykatën e Lartë (GJL) për ngritjen e një ekipi Nëpunësish për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (NUNÇP), duke ofruar kështu mbështetje në drejtim të një pune më efikase për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore, parandalimin dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.
Parimi themelor i ngritjes së ekipit të NUNÇP është rritja e ritmit me të cilin trajtohen çështjet gjyqësore, për të mundësuar që këshilltarët ligjorë të përqendrohen më tepër te relacioni i çështjeve, sesa te detyrat administrative. Një përgatitje më efikase e çështjeve do të bëjë të mundur që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë ta rrisin numrin e çështjeve që ata përfundojnë/mbyllin çdo muaj.
Personat e interesuar duhet të dorëzojnë një paketë të plotë aplikimi në adresën: [email protected] jo më vonë se afati përfundimtar: ora 17:00, e premte, datë 22 maj 2020.
Paketa e plotë e aplikimit do të përfshijë:
- Një letër të shprehjes së interesit, ku të shpjegoni se si i plotësoni të gjitha kualifikimet minimale (lexojini ato më poshtë);
- Një CV me informacion të përditësuar;
- Emrat dhe detajet e kontaktit (pra, adresën elektronike dhe numrin e telefonit) të tri referencave tuaja profesionale më të fundit;
- Një certifikatë aktuale, ku të tregohet se nuk keni qenë i/e dënuar më parë dhe se nuk keni çështje të hapura penale;
- Një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të thotë se nuk keni asnjë pjesëtar të familjes që punon në Gjykatën e Lartë ose në Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nuk jeni palë në ndonjë çështje të depozituar në Gjykatën e Lartë, që nuk jeni avokat që përfaqëson ndonjë çështje në Gjykatën e Lartë dhe që nuk keni asnjë tjetër konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin tuaj në pozicionin e Nëpunësit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura.
Kandidatët e interesuar, të cilët kanë pyetje, mund t’i paraqesin ato vetëm në adresën: [email protected]. Përjashtohet mundësia që kandidatët të kontaktojnë Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë Gjyqësor ose Projektin “Drejtësi për të Gjithë” në ndonjë mënyrë tjetër.
Paketat jo të plota të aplikimit nuk do të merren në konsideratë.
Hollësitë për kandidatët e interesuar dhe kërkesat minimale gjenden në vijim:
Kohëzgjatja e kontratës fillestare të punësimit: Data e marrjes në punë deri më 28 shkurt 2021
Vendi i punës: Tiranë, Shqipëri
Orët e punës: 40 orë në javë, nga e hëna në të premte
Paga mujore bruto: 87,700 LEK
Kërkesat minimale:
- Të jetë diplomuar në drejtësi nga një universitet i akredituar, pas përfundimit të ciklit të dytë të studimeve. Kandidatët që kanë edhe një diplomë “Master i shkencave” në drejtësi, po ashtu nga një universitet i akredituar, do të kenë përparësi;
- Të ketë përvojë profesionale jo më pak se 2 (dy) vjet në një prej këtyre: në sistemin gjyqësor ose në prokurori, në një pozicion juristi brenda administratës publike, në një nga profesionet e lira të ligjit, në profesionin e avokatit, ose në ndonjë pozicion tjetër ekuivalent në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare. Kombinimi i përvojës praktike të lartpërmendur me mësimdhënien në fushën e drejtësisë do të merret në konsideratë;
- Kandidatët që kanë kaluar provimin e avokatisë do të kenë përparësi, por ky provim nuk është një kusht i detyrueshëm;
- Të jetë në gjendje të kryejë dhe dokumentojë kërkime gjithëpërfshirëse ligjore;
- Të ketë njohuri për jurisprudencën e gjykatave kombëtare, ndërsa njohuritë për jurisprudencën ndërkombëtare do të konsiderohen një plus;
- Të ketë njohuri për paketën e ligjeve të reformës, si dhe ndryshimet përkatëse në kodet e procedurave, aktualisht në fuqi;
- Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi me shkrim dhe me gojë;
- Të jetë i/e organizuar dhe i/e orientuar në detaje;
- Të mos jetë pushuar nga puna për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masa disiplinore në fuqi;
- Të mos ketë çështje penale të regjistruara dhe të mos jetë në hetim penal.
Për një përshkrim më të plotë, ku përfshihen detyrat dhe përgjegjësitë, ju lutemi të vizitoni postimet në faqen zyrtare të KLGJ-së: www.klgj.al dhe në faqen zyrtare të GJL-së: www.gjykataelarte.gov.al .
Fusha e Aktivitetit
Nëpunësi për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura
Informacion i përgjithshëm:
Projekti “Drejtësi për të Gjithë” në Shqipëri (më poshtë “Projekti”), i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është hartuar për të përmirësuar performancën e gjykatave shqiptare, përmes rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së gjykatave, me qëllim përfundimtar rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi gjyqësor. Në kuadër të Projektit, një nga Rezultatet e Pritshme është që gjykatat t’i kryejnë funksionet e tyre në mënyrë më efikase, si dhe të shmangin seancat joproduktive dhe vonesat e panevojshme. Në mbështetje të këtij rezultati, Projekti ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Gjykatën e Lartë (GJL) për ngritjen e një ekipi Nëpunësish për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (NUNÇP), duke ofruar kështu mbështetje në drejtim të një pune më efikase për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore, parandalimin dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.
Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vuajtur nga mungesa e stafit dhe proceset joefikase për disa vjet dhe çështjet në pritje për t’u gjykuar janë grumbulluar në mënyrë të konsiderueshme për vite me radhë. Në vitin 2016, u miratuan disa ndryshime legjislative për të ngushtuar gamën e çështjeve që mund të depozitoheshin në Gjykatën e Lartë. Këto ndryshime, të kombinuara edhe me ndryshimet në kodin e procedurës, synonin drejt uljes së numrit të çështjeve të prapambetura në gjykatë, duke siguruar kështu një mjet për ta rritur aftësinë e saj të trajtimit të çështjeve, duke ulur ndërkohë edhe prurjen e çështjeve. Një gjë e tillë kërkon një ndryshim të procesit të punës brenda gjykatës, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Ndryshimet në procesin e brendshëm të punës së gjykatës janë penguar, për shkak të ndikimit të procesit të rivlerësimit dhe, me përjashtim të dy gjyqtarëve, gjyqtarët e tjerë ose kanë dhënë dorëheqjen para rivlerësimit, ose janë larguar nga detyra përmes procesit të rivlerësimit. Një nga dy gjyqtarët e mbetur, shërben aktualisht si anëtar me kohë të plotë i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për këtë arsye, nuk është në gjendje të gjykojë çështje. Po ashtu, edhe numri i këshilltarëve ligjorë në Gjykatën e Lartë është zvogëluar dhe aktualisht ka vetëm 9 të tillë në detyrë.
Si rezultat i problematikave të përmendura më sipër, numri i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë po rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe aktualisht, janë grumbulluar mbi 35,000 çështje të tilla. Këtu përfshihen çështje që datojnë që prej vitit 2010.
Një analizë e të dhënave statistikore të 5 viteve të fundit tregon se, më shumë se 50% e çështjeve të depozituara në Gjykatën e Lartë nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë, ndaj, për këtë arsye, Gjykata e Lartë duhet të shpallë mospranimin e tyre. Aktualisht, gjykata nuk ka asnjë mekanizëm “filtrues” për t’i identifikuar dhe zgjidhur me shpejtësi këto çështje, kur depozitohen. Si rezultat, mund të thuhet se më shumë se 50% e palëve ndërgjyqëse që kanë çështje në Gjykatën e Lartë, presin për vite të tëra, vetëm për të mësuar në fund të pritjes se çështjet e tyre as nuk kualifikoheshin për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Lartë.
Duke e eliminuar këtë kategori nga çështjet e prapambetura, si dhe duke vënë në zbatim masa filtruese, do të bëhet e mundur që gjykata të përqendrohet në ngarkesën e çështjeve që vërtet i takojnë, pra, ato që janë depozituar si duhet dhe kualifikohen për t’u pranuar nga gjykata dhe për rrjedhojë, duhet të gjykohen plotësisht prej saj.
Pritet që plotësimi i Gjykatës së Lartë me trupën e plotë të gjyqtarëve (numër që aktualisht është përcaktuar të jetë 19) dhe me këshilltarët ligjorë do të kërkojë ca kohë. Për këtë arsye, ekipi i përkohshëm i nëpunësve për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura mund të japë ndihmesë në pakësimin e numrit të çështjeve të prapambetura. Ata do të punojnë drejtpërdrejt me këshilltarët ligjorë dhe do të ofrojnë mbështetje, duke zbatuar disa përgjegjësi të caktuara administrative në procesin e uljes së numrit të çështjeve të prapambetura, siç janë përcaktuar bashkërisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Projekti.
Qëllimi:
Objekti i Punës synon të krijojë një ekip për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, të përbërë nga juristë shqiptarë të zotë, të rinj, të zellshëm dhe të kualifikuar, që do të punojnë drejtpërdrejt me këshilltarët ligjorë dhe do të ofrojnë mbështetje, duke zbatuar disa përgjegjësi administrative të caktuara, në kuadër të nismës për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura.
Parimi themelor i ngritjes së ekipit të NUNÇP është rritja e ritmit me të cilin trajtohen çështjet gjyqësore, për të mundësuar që këshilltarët ligjorë të përqendrohen më tepër te relacioni i çështjeve, sesa te detyrat administrative. Një përgatitje më efikase e çështjeve do të bëjë të mundur që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë ta rrisin numrin e çështjeve që ata përfundojnë/mbyllin çdo muaj.
Detyrat:
Nëpunësi për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura do të ndihmojë këshilltarët ligjorë të Gjykatës së Lartë, duke përmbushur funksione dhe detyra administrative.
- Duke ndjekur planin e punës, të përcaktuar sipas llojit të çështjeve (penale, civile dhe administrative), i kategorizon çështjet në nënkategori.
- Analizon secilën dosje të çështjes, sipas rendit kronologjik të regjistrimit të saj, nën udhëzimet e këshilltarit ligjor.
- Për çdo çështje, plotëson formularin e raportit mbi çështjen me të dhënat e nevojshme, bazuar në trajnimin dhe udhëzimet e marra nga gjykata dhe ia kalon atë këshilltarit ligjor.
- Përgatit raporte javore mbi numrin e çështjeve të trajtuara dhe mbi numrin e raporteve të plotësuara mbi çështjet.
- Nëse i kërkohet, kryen punë të tjera administrative, të nevojshme për menaxhimin efektiv të çështjeve të trajtuara.
- Përmbush standardet e performancës, të përcaktuara për këtë pozicion pune.
- Punon ngushtë me mbikëqyrësin/en e caktuar të Gjykatës së Lartë dhe i raporton drejtpërdrejt atij/asaj.
- Dëshmon në çdo kohë një sjellje profesionale, punon në mënyrë proaktive me të gjithë stafin e Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Projektit “Drejtësi për të Gjithë”, si dhe respekton të gjitha kodet e konfidencialitetit dhe etikës, siç kërkohet në marrëveshjen e punës.
- Respekton rregullat dhe raporton menjëherë çdo konflikt interesi.
Raportimi:
Nëpunësi për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura i raporton dhe punon nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Këshilltarit Ligjor të Gjykatës së Lartë që i është caktuar, siç kërkohet në bazë të memoradumit të nënshkruar.
Kualifikimet minimale:
Nëpunësi për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura duhet të përmbushë kërkesat e përgjithshme për pranim në shërbimin civil, në përputhje me Ligjin “Për nëpunësin civil”, si dhe kërkesat e mëposhtme të posaçme:
- Të jetë diplomuar në drejtësi nga një universitet i akredituar, pas përfundimit të ciklit të dytë të studimeve. Kandidatët që kanë edhe një diplomë “Master i shkencave” në drejtësi, po ashtu nga një universitet i akredituar, do të kenë përparësi;
- Të ketë përvojë profesionale jo më pak se 2 (dy) vjet: në sistemin gjyqësor ose në prokurori, në një pozicion juristi brenda administratës publike, në një nga profesionet e lira, si avokat, ose në ndonjë pozicion tjetër ekuivalent në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare. Kombinimi i përvojës praktike të lartpërmendur me mësimdhënien në fushën e drejtësisë do të merret në konsideratë. Kandidatët që kanë kaluar provimin e avokatisë do të kenë përparësi, por ky provim nuk është një kusht i detyrueshëm;
- Të jetë në gjendje të kryejë dhe dokumentojë kërkime gjithëpërfshirëse ligjore;
- Të ketë njohuri për jurisprudencën e gjykatave kombëtare, ndërsa njohuritë për jurisprudencën ndërkombëtare do të konsiderohen një plus;
- Të ketë njohuri për paketën e ligjeve të reformës, si dhe ndryshimet përkatëse në kodet e procedurave aktualisht në fuqi;
- Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi me shkrim dhe me gojë;
- Të jetë i organizuar dhe i orientuar në detaje;
- Të mos jetë pushuar nga puna për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masa disiplinore në fuqi;
- Të mos ketë çështje penale të regjistruara dhe të mos jetë në hetim penal.
Orët e punës dhe kohëzgjatja e punësimit:
Ky pozicion do të kërkojë punë me kohë të plotë prej 40 orësh në javë, duke filluar nga data e marrjes në punë dhe do të vazhdojë deri në datën e përfundimit, të përcaktuar në marrëveshjen e punësimit.
Të nderuar aplikantë,
Më poshtë, do të gjeni disa sqarime, bazuar te pyetjet më të shpeshta të ngritura nga ju deri më tani:
1) A duhet të dorëzoj kopje të diplomave të mia, së bashku me paketën time të aplikimit?
Në këtë fazë të parë të aplikimit, kërkohet vetëm CV-ja e përditësuar. Ju mund t’i dërgoni diplomat së bashku me aplikimin, por ato do t’u kërkohen vetëm kandidatëve që do të përzgjidhen për fazën e intervistimit.
2) A mund të dërgoj vlerësimin e punës, në vend të referencave?
Ju duhet të dërgoni vetëm emrat dhe detajet e kontaktit (pra, adresa elektronike dhe numri i telefonit), sikurse është përmendur në thirrjen për aplikim. Nuk kërkohet të dorëzohen, as vlerësimet e punës dhe as letrat e referencës.
3) Për deklaratën mbi konfliktin e interesit, a ka ndonjë formular apo model të caktuar, në të cilin ajo duhet të dorëzohet?
Nuk ka një model të caktuar për të deklaruar një konflikt interesi. Ju duhet thjesht të deklaroni nëse keni ndonjë pjesëtar të familjes që punon në Gjykatën e Lartë ose në Këshillin e Lartë Gjyqësor, nëse jeni palë në ndonjë çështje të depozituar në Gjykatën e Lartë, nëse jeni avokat që përfaqëson ndonjë çështje në Gjykatën e Lartë dhe nëse keni ndonjë tjetër konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin tuaj në pozicionin e Nëpunësit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura. Nëse nuk keni asnjë konflikt të tillë, ju duhet ta deklaroni këtë. Këtë deklaratë mund ta dërgoni së bashku me aplikimin tuaj.
4) Ç’ndodh nëse nuk arrij të marr një certifikatë përpara se të përfundojë afati për aplikim?
Për certifikatën aktuale, ku tregohet se nuk keni qenë i/e dënuar më parë, ju mund të paraqisni aplikimin e bërë pranë e-albania në këtë fazë të parë të aplikimit. Kandidatëve që do të përzgjidhen për fazën e intervistimit, do t’ju kërkohet të paraqesin dokumentin e marrë nga e-albania. Gjithashtu, kandidatëve që do të përzgjidhen për intervistë do t’ju kërkohet të paraqesin: vërtetim nga prokuroria që nuk janë në ndjekje penale, si dhe vërtetim nga gjykata që nuk kanë çështje gjyqësore. Ju lutemi, të tregoheni proaktivë dhe të merrni masa, në mënyrë që të filloni sa më parë procedurat e aplikimit për të marrë dokumentet e mësipërme.
Shënim:
Për kandidatët që i kanë paraqitur dokumentet në përmbushje të pikave të mësipërme, nuk është e nevojshme t’i bëni ndryshime aplikimit tuaj.
Kurse, kandidatët të cilët e kanë bërë aplikimin, por sipas pikave më lart, duhet ta përditësojnë atë, mund ta përditësojnë përpara mbylljes së afatit për aplikim.
Të gjitha dokumentet duhet të dërgohen në format elektronik. Vetëm kandidatëve të përzgjedhur do t’ju kërkohet paraqitja e dokumenteve origjinalë/të noterizuar.
Ju urojmë suksese në aplikimin tuaj.
Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë