Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 15 Maj 2020

Sot me datë 15.05.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi  disa çështje të rëndësishme.

Me qëllim mbikëqyrjen e nismës për rritjen e efikasitetit në Gjykatën e Lartë, uljen e numrit të çështjeve të prapambetura si dhe monitorimin e zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit Këshilli vendosi zgjatjen e mandatit të Komisionit të Përkohshëm për hartimin e një plani veprimi lidhur me reduktimin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit në Gjykatën e Lartë, ngritur me vendimin e KLGJ-së nr.317, datë 19.12.2019.

Në vijim Këshilli vendosi miratimin e listës emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021, për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë”.

Gjithashtu, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore te kandidimit për gjyqtar në Gjykatën e posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.89, datë 26.02.2020.

Më tej Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtarit {…}, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, si dhe deklarimin e pasjes së statusit  të znj. Aulona Bodo, në pozicionin e Këshilltarit Ligjor, jo magjistrat në Gjykatën e Lartë.

Këshilli në përfundim të procedurave të shpalljes si dhe verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit vendosi miratimin e opinionit për kandidaten znj. Teuta Hoxha në procedurën e komandimit si pedagoge e brendshme, në Departamentin e Formimit Fillestar, të Shkollës së Magjistraturës.

Në përfundim, Këshilli diskutoi rreth propozimit të disa anëtarëve në lidhje me zhvillimin në seancë plenare në sallën e mbledhjeve të Këshillit apo përmes platformës elektronike on-line. Pas diskutimeve, anëtarët vendosën që t’i drejtohen organeve të specializuara shëndetësore, për të vlerësuar kushtet dhe mundësitë e zhvillimit të mbledhjeve plenare, në sallën përkatëse të mbledhjeve plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Back to top