Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 5 Maj 2020,

Sot me datë 05.05.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi  disa çështje të rëndësishme.

Bazuar në nenin 82 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, mbledhja plenare nisi me shqyrtimin dhe miratimin e raportit të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2019”, në të cilin pasqyrohet në tërësi gjithë veprimtaria, arritjet dhe problematikat si të KLGJ-së dhe sistemit gjyqësor përgjatë vitit 2019. Në përfundim bazuar në gjetjet konkrete të analizuara, Këshilli i paraqet Kuvendit të Shqipërisë raportin me sugjerimet përkatëse për përmirësimin e situatës.

Këshilli në përputhje me aktin normativ nr.15/2020, me të cilin është parashikuar rishikimi i dytë i Buxhetit të Shtetit për shkak të situatës së pandemisë, vendosi  miratimin e detajimit të fondeve të lira, nga buxheti i vitit 2020, në sistemin gjyqësor dhe vënien në dispozicion të tyre për përballimin e kësaj situate.

Gjithashtu, Këshilli vendosi detajimin dhe shpërndarjen e punonjësve me kontratë në disa gjykata për vitin 2020, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për personel ndihmës.

Në vijim  të mbledhjes plenare të datës 27 prill 2020, Këshilli vazhdoi shqyrtimin e shkresës së Presidentit të Republikës lidhur me qëndrimin e mëtejshëm në detyrë të z. Ardian Dvorani si anëtar i Gjykatës së Lartë. Pas shqyrtimit të shpjegimeve të dhëna nga z. Dvorani si dhe propozimeve të disa anëtarëve të tij, Këshilli,  me shumicë votash, vendosi shtyrjen e shqyrtimit të kësaj çështjeje. Kjo shtyrje u bë me qëllim  që të njohë z. Dvorani me vendimet dhe relacionet përkatëse të Këshillit për  hapjen e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, korrespondencën e institucionit të KLGJ-së, me Presidentin e Republikës, për  dekretimin e anëtarëve të rinj në të, si dhe marrjen e një opinioni ligjor nga misionet partnere që asistojnë Këshillin.

Back to top