Njoftim për shtyp 5 Mars 2020
Këshilli i Lartë Gjyqësor, sot më datë 05.03.2020, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi.
Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor dhe shërbimin ndaj publikut, Këshilli miratoi shpërndarjen e punonjësve shtesë në gjykata, rialokimin e fondeve për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë së godinave të gjykatave të vendit, si dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të disa aseteve të tyre. Gjithashtu në këtë kuadër, Këshilli miratoi vendimin për ngritjen e grupit të punës për funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në vijim, Këshilli miratoi rregulloren për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimin e pasurive në ushtrimin e funksioneve publike për zyrtarët që kanë kompetencë thelbësore dhe përcaktuese në vendimmarrje. Kjo rregullore përcakton norma të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo zyrtar i lartë i Këshillit, dhe ka për qëllim garantimin e një vendimmarrje të paanshme, transparente, në interesin më të mirë të mundshëm të publikut.
Në përmbushje të kërkesave dhe standardeve të auditimit, Këshilli miratoi raportin vjetor të Auditimit të Pushtetit Gjyqësor për vitin 2019. Ky raport pasqyron përmbushjen e arritjeve ndaj sfidave dhe problematikave, lidhur me detyrimet dhe objektivat e planifikuara për periudhën në fjalë.
Me qëllim plotësimin e skemës dhe rregullave të vlerësimit të gjyqtarëve Këshilli miratoi formularin e integruar të vlerësimit të gjyqtarit.
Më tej, Këshilli miratoi fillimin e proçedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të rekrutimit si gjyqtar të kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që pritet të diplomohen në vitin akademik 2019–2020, si dhe caktimin e relatorëve për secilin kandidat.
Në përfundim, Këshilli vendosi caktimin e përhershëm në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të gjyqtares znj. Ilirjana Olldashi, si dhe u caktuan gjyqtarët për gjykimin e një çështje gjyqësore të veçantë në Gjykatën e Lartë.