Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 20 Janar 2020

Sot më datë 20.01.2020, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) Znj. Naureda Llagami, firmosi Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Qendrën për Ndërmjetësim të Integruar në Berlin (Berlin Center for Integrated Mediation – CSSP). Kjo marrëveshje vjen në kuadër të zbatimit të projektit “Forcimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”, financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.

Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e praktikës së ndërmjetësimit në Shqipëri si një mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë gjykatave. Në zbatim të saj,  KLGJ merr përsipër të lehtësoj marrëdhëniet e drejtpërdrejta të organizatës zbatuese (CSSP) me gjykatat e rretheve gjyqësore me qëllim krijimin e një bashkëpunimi të frytshëm për referimin e çështjeve për ndërmjetësim. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë që paraqet praktika e ndërmjetësimit dhe me qëllim inkurajimin e trupës gjyqësore për zbatimin e saj, KLGJ në cilësinë e institucionit përgjegjës për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor si dhe për miratimin e akteve normative për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, në skemën e re të vlerësimit të gjyqtarëve ka përfshirë si kriter pozitiv edhe rastet e referimit. Referimi i çështjeve për ndërmjetësim do të merret parasysh në procesin e pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarit, duke nxitur kështu zbatimin më të gjerë të kësaj praktike.

Në kuadër të projektit, organizata zbatuese (CSSP), do të mbështesë krijimin e dy qendrave të ndërmjetësimi, përkatësisht në Tiranë dhe Durrës, duke synuar hapjen e qendrave të tilla edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Back to top