Njoftim për shtyp 19 Dhjetor 2019
Sot, më datë 19.12.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi një sërë vendimesh, ndër të cilët vlen të theksohet ngritja e Komisionit të Përkohshëm për hartimin e planit të veprimit mbi reduktimin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit në Gjykatën e Lartë. Ky Komision, do të depozitojë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor planin e përgatitur në funksion të qëllimit për të cilin është ngritur, brenda datës 31 mars 2020. Komisioni do të bashkërendojë punën me partnerët ndërkombëtarë të Misionit EURALIUS V dhe projektit “Drejtësi për të gjithë”-USAID.
Në vijim të punës për plotësimin e kuadrit nënligjor dhe rregullator të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve u miratuan tabelat standarde me të dhënat statistikore të nevojshme, për efekt të këtij vlerësimi. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në rritjen e efikasitetit dhe transparencës së vlerësimit etiko-profesional dhe zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve, të bazuar në meritë dhe kritere ligjore.
Me qëllim mirë-funksionimin, rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, u miratua ngritja e Komisionit të Përkohshëm për hartimin e Rregullores së Brendshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, komision i cili, do të koordinojë punën e tij me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë si misioni EURALIUS V, projekti “Drejtësi për të gjithë” – USAID, prezenca e OSBE në Tiranë dhe projektit “SEJ III” – i Këshillit të Evropës. Po në këtë objektiv, u miratua vendimi për shpalljen e kërkesës nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit.
Duke pasur në fokus të punës së tij mirë-menaxhimin e sistemit gjyqësor, KLGJ ka ndjekur në vijimësi ecurinë e punës në gjykata nëpërmjet raportimeve periodike dhe të detajuara të kryetarëve të gjykatave. Për këtë, u mor në shqyrtim analiza e përgatitur mbi veprimtarinë gjyqësore për periudhën Korrik – Shtator 2019.
Në kuadrin e përpjekjeve intensive për rivënien në eficiencë të Gjykatës së Lartë, Këshilli mori në shqyrtim dhe miratoi projektvendimin për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për emërimin si gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë të kandidates {…}.
Këshilli, pas përfundimit të procesit të verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore, miratoi vendimin për kualifikimin e kandidates {…} për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës për vitin e ri akademik 2019-2020.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, Këshilli vazhdoi me shqyrtimin e raportit të vlerësimit të statusit individual dhe karrierës së disa inspektorëve të ish- Këshillit të Lartë të Drejtësisë.