Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 10 Dhjetor 2019

Sot më datë 10.12.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme. Më konkretisht, Këshilli, miratoi programin e vlerësimeve etike dhe profesionale për vitin 2020, i cili përmban listën e gjyqtarëve që do të vlerësohen dhe periudhën e vlerësimit përkatës. Me këtë vendimmarrje, i hapet rruga fillimit të procesit për vlerësimin periodik të të gjithë gjyqtarëve, duke mundësuar në vijim dhe lëvizjet paralele apo promovimin e tyre si në shkallët më të larta ashtu dhe në gjykatat e specializuara.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi në pozicionin e Gjyqtarit për Mediat, për çdo juridiksion apeli, gjyqtarët e mëposhtëm: 

Vojsava Osmanaj-juridiksioni i Apelit Shkodër

Edlira Petri  -juridiksioni i Apelit Tiranë

Desart Avdulaj-juridiksioni i Apelit Durrës

Klodiana Gjyzari-juridiksioni i Apelit Vlorë

Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë

Enton Dhimitri- juridiksioni i Apelit Gjirokastër

Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ

Saida Dollani  -juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda / për gjykimin e  veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjithashtu, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, të L.S, K.B, dhe T.S, si dhe shpalli kërkesën për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Ministrinë e Drejtësisë. 

Për shkak të natyrës konfidenciale të materialeve që u trajtuan në pikën 5 dhe 6 të rendit të ditës, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Më konkretisht, pasi u njoh me rezultatet e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidatin z. E.L., Këshilli vendosi skualifikimin e tij.  Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidateve J.RR dhe R.M. Kandidatet kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Back to top