Njoftim për shtyp 11 Nëntor 2019
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Maksim Qoku, anëtarët znj. Brikena Ukperaj dhe z. Dritan Hallunaj, priti sot me datë 11.11.2019, një delegacion nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës në Itali, kryesuar nga z. David Ermini, Zëvendës-President i Këshillit, anëtarët znj. Concetta Grillo dhe z. Michele Cerabona, ambasadori i Italisë në vendin tonë, ShTZ. Alberto Cutillo, ekspertë dhe drejtues administrativ.
Pasi i uroi mirëseardhjen, znj. Llagami i bëri një prezantim të shkurtër të sfidave që ka gjyqësori në kuadër të reformës në drejtësi. Pasi e njohu më punën voluminoze, znj. Llagami vuri theksin tek angazhimi i të gjithë anëtarëve të KLGJ-së për kryerjen me përgjegjësi të detyrave kushtetuese, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, rritjen e transparencës dhe parandalimin e fenomeneve që dëmtojnë imazhin e trupës gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.
Pasi falënderoi për mikpritjen përfaqësuesit e KLGJ-së, Zëvendës-Presidenti i Këshillit, z. David Ermini, vlerësoi si të rëndësishme thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve, me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira.
Pas propozimit të Kryetares së KLGJ-së, bashkëbiseduesit ranë dakord të shikojnë me përparësi mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi midis dy Këshillave.
Disa nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara në këtë takim ishin ato të krijimit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.