Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot, më datë 11.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor organizoi “Konferencën Rajonale mbi Administrimin e Gjykatave dhe Menaxhimin e Çështjeve”.

Sot, më datë 11.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor organizoi “Konferencën Rajonale mbi Administrimin e Gjykatave dhe Menaxhimin e Çështjeve”. Kjo konferencë u mundësua në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, dhe me mbështetjen e projekteve të BE/Këshillit të Evropës për “Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë” dhe të USAID “Drejtësi për të Gjithë”.

Ky aktivitet i rëndësishëm shërbeu si një mundësi për organet qeverisëse të gjyqësorit, administratorët e gjykatave dhe profesionistë juristë nga vendet e Ballkanit për të shkëmbyer përvojat e tyre në administrimin e gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve gjyqësore. Ai synoi krijimin e një platforme për këshillat gjyqësorë në rajon për të diskutuar sfidat, mësimet e nxjerra dhe praktikat më të mira në rajon. Në këtë konferencë morën pjese mbi 60 të ftuar duke përfshirë dhe anëtarë të Këshillave Gjyqësore nga Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ndërsa nënvizoi rëndësinë që mbartin konferenca të tilla, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, u shpreh se mirë-administrimi i gjykatave është një nga objektivat kryesore të institucionit që drejton. Si i tillë, mirë-administrimi gjyqësor, nuk është një çështje periferike, por është në themel të pavarësisë së sistemit gjyqësor. 

Me tej, znj. Llagami, falenderoi bashkë-organizatorët e kësaj konference, dy organizata të rëndësishme që krijojnë standarde dhe praktikave të mira në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, përkatësisht Këshillin e Evropës dhe OSBE. Ajo shprehu mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kanë ofruar jo vetëm një mbështetje  teknike e financiare, por edhe një mbështetje të vazhdueshme morale. 

Në përfundim të fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së vlerësoi rolin e shoqërisë civile dhe qytetarëve të cilët kanë ndjekur dhe monitoruar reformën në drejtësi duke qenë kërkues ndaj institucioneve të reja dhe theksoi se qytetarët do të japin besimin e tyre vetëm bazuar në rezultate konkrete.

Back to top