Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 26 Korrik 2019

Sot më datë 26.07.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës e cila nisi me miratimin e projektvendimit “Për fillimin e procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur, për në pozicionet e lira në Gjykatën e Lartë dhe caktimi i relatorit për secilin kandidat”. Kjo vendimmarrje i hap rrugën procesit të verifikimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit për 22 kandidatët nga jashtë sistemit gjyqësor, që kanë aplikuar për të qenë anëtarë në Gjykatën e Lartë, si dhe caktimit përmes shorti të relatorëve për secilin kandidat.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, është shpresëplotë se pas vendimmarrjes së sotme, shënohet një hap progresi për plotësimin me anëtarë të Gjykatës së Lartë, me qëllim fillimin e evadimit të një stoku prej mbi 30 000 çështjesh gjyqësore të krijuara ndër vite, si dhe adresimin e shqetësimeve të çdo qytetari shqiptar në lidhje me funksionalizimin e kësaj gjykate dhe marrjen e drejtësisë së merituar dhe pa vonesa.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.

Back to top