Njoftim për shtyp 15 Korrik 2019
Sot më datë 15.07.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën miratoi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, të 10 (dhjetë) kandidatëve diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, për profilin gjyqtar, në përfundim të vitit akademik 2017-2018.
Procedura e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore u bë në përputhje me vendimin Nr. 75, datë 23.05.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për rekrutimin si gjyqtar të kandidatëve përkatësisht: znj. Suela Dashi, znj. Afërdita Caco, znj. Merita Karaj, z. Ardit Kuka, znj. Amarilda Sulaj, z. Ervin Sulaj, z. Olti Skrame, znj. Enkeleda Dalipi, znj. Lorena Çabej dhe znj. Suela Xhani.
Vendim i sotëm i KLGJ-së merr një rëndësi të veçantë, nëse mbahen parasysh efektet dhe mungesat e krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar, nevojat e sistemit për kontributin profesional të këtyre magjistratëve të rinj për t’u ofruar qytetarëve shqiptar një drejtësi siç e meritojnë dhe pa vonesa. Ai hap rrugën për emërimin në detyrë të këtyre magjistratëve të rinj dhe përpiqet të plotësojë nevojat e sistemit me profesionistë të kualifikuar dhe me integritet.