Sot, më datë 25 qershor 2019, u organizua tryeza e rrumbullakët për prezantimin dhe konsultimin me përfaqësues të shoqërisë civile e projekt-planit strategjik dhe atij të veprimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për sistemin gjyqësor 2019-2020.
Sot, më datë 25 qershor 2019, u organizua tryeza e rrumbullakët për prezantimin dhe konsultimin me përfaqësues të shoqërisë civile e projekt-planit strategjik dhe atij të veprimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për sistemin gjyqësor 2019-2020. Ky aktivitet i rëndësishëm u mundësua nga Projekti “Drejtësi për të Gjithë” (JFA) i USAID.
Në të morën pjesë rreth 15 përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e drejtësisë dhe mbrojnë të drejtat e grupeve në nevojë, si dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami së bashku me drejtuesen e projektit të USAID, znj. Anne M. Trice përshëndetën këtë event duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre. Më tej kryetarja e KLGJ-së prezantoi metodologjinë e përdorur dhe hapat e ndërmarra për hartimin e këtyre dokumenteve strategjike. Ky aktivitet i parë konsultativ shërben për të vendosur një urë të munguar komunikimi midis Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organizatave të shoqërisë civile në rrugëtimin për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavaruar, të paanshëm, me integritet, efikas dhe më pranë qytetarit, duke e kthyer bashkepunimin me shoqerinë civile në modus operandis të veprimtarisë institucionale të KLGJ-së.
Gjatë takimit disa anëtarë të Këshillit: Znj. Naureda Llagami, Znj. Brikena Ukperaj, Znj. Marçela Shehu, Znj. Brunilda Kadi, Znj. Fatmira Luli, Z. Maksim Qoku, Z. Medi Bici, Z. Erjon Muharremaj, si dhe disa kryetarë gjykatash: Znj. Valbona Durraj, Z. Sandër Simoni etj., prezantuan komponentë të ndryshëm të planit strategjik si vlerat, parimet, standarded që do të drejtojnë veprimtarinë e KLGJ-së dhe ato të sistemit gjyqësor në përgjithësi në dy vitet e ardhshme.
Duke vlerësuar pozitivisht organizimin e këtij eventi nga KLGJ, përfaqësues të shoqërisë civile dhanë disa sugjerime dhe komente mbi dokumentet e sipërpërmendura.