Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 17 Qershor 2019

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 17.06.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi.

Në përputhje me ndryshimet në rregulloren për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarëve, miratuar mbledhjen e fundit, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së transferimit të përkohshëm dhe shpalljen e disa pozicioneve të lirë për transferim të përkohshëm në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Kukës, Kavajë dhe Kurbin.

Transferimi i përkohshëm erdhi si domosdoshmëri, pasi Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, Kurbin, Kukës dhe Kavajë, kanë mbetur me 2 gjyqtarë, duke sjellë vështirësi në gjykimin e çështjeve penale, të cilat, pas ndryshimeve në Kodit të Procedurës Penale, implikojnë në gjykim të paktën tre gjyqtarë, gjyqtarin që shqyrton kërkesat gjatë hetimit paraprak, gjyqtarin e seancës paraprake dhe gjyqtarin që shqyrton themelin e çështjes. Në situatën aktuale, këto gjykata në shumicën e çështjeve penale ka parashtruar kërkesa për caktim gjyqtari, pikërisht për shkak të mungesave të saj në organikë.

Nisur nga përballimi i ngarkesës së punës në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës dhe Shkodër, si edhe pamundësia e plotësimit me gjyqtarë nëpërmjet skemës së delegimit, sipas vendimit nr. 22, datë 07.02.2019 “Mbi miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurën e funksionimit të skemës së delegimit të gjyqtarit”, pasi në skemën e delegimit nuk ka gjyqtarë të disponueshëm, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së transferimit të përkohshëm dhe shpalljen e një pozicioni të lirë për transferim të përkohshëm në secilën gjykatë.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Back to top