Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp 09 Korrik 2020

Sot me datë 09.07.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme.

 

Në fillim të mbledhjes, anëtarët diskutuan mbi Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për Raportin Vjetor të Veprimtarisë së vitit 2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

Duke mbajtur në konsideratë, plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqtarëve, për 5 (pesë) pozicione të lira, 4 (katër) në fushën e të drejtës penale dhe 1 (një) administrative, dhe fillimin e procedurës së përshpejtuar të vlerësimit etik dhe profesional viti kalendarik 2019, për gjyqtarët​ që kanë plotësuar deri tani 3 (tre) kushtet ligjore të kandidimit për ngritje në detyrë në këtë gjykatë.

 

Më tej Këshilli, vendosi rihapjen e procedurës së komandimit për inspektor nga radhët e gjyqtarëve në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si dhe rihapjen e procedurës së komandimit për dy pozicione të shërbimit civil nga radhët e gjyqtarëve, në Ministrinë e Drejtësisë.

 

Gjithashtu, në kuadër të administrimit sa më efikas të buxhetit për vitin 2020, Këshilli miratoi rishikimin e buxhetit të sistemin gjyqësor sipas aktit normativ nr.28, datë 02.07.2020, rishpërndarjen e fondeve për masat higjienizuese në gjykata dhe shpërndarjen e fondeve në investime.

 

Më tej Këshilli vendosi verifikimin e tre kritereve ligjore të kandidimit për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, të kandidatit z. Enton Dhimitri si dhe vijimin e verifikimit për kriteret e tjera të kandidimit.

 

Në përfundim Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, {…}, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve në shërbimin civil gjyqësor të kancelares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për shkak të dorëheqjes.

 

Back to top