Njoftim për shtyp 30 Mars 2020
Sot, në datën 30.03.2020 Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në respekt të plotë të detyrimeve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për shmangien e përhapjes së virusit COVID-19, duke e realizuar përmes platformës elektronike “Microsoft Teams”, me asistencën teknike të Projektit EURALIUS V.
Këshilli miratoi Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet, KLGJ, Projektit Drejtësi për të Gjithë (USAID) dhe Gjykatës së Lartë. Kjo nismë e shumëpritur, vjen menjëherë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës të 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, dhe ka për qëllim uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në këtë gjykatë, duke synuar dhënien e një drejtësie të shpejtë dhe pa vonesa për qytetarët.
Në këtë mbledhje u miratua vendimi “Për deklarimin e mbarimit të caktimit të përkohshëm të gjyqtarit z. A.M pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” dhe caktimi i këtij të fundit në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Vendimmarrja e fundit e mbledhjes së sotme kishte të bënte me caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme, duke mundësuar zhvillimin e seancave gjyqësore, në disa prej gjykatave të vendit, brenda afateve ligjore.