Kryetarja e KLGJ takon Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami priti në një takim pune Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë Sh.T.Z. Luigi Soreca. Në takimin e zhvilluar, Kryetarja e KLGJ-së, pasi falenderoi Ambasadorin Sh.T.Z. Soreca për mbështetjen e deritanishme që BE i ka dhënë Shqipërisë në lidhje me reformën në drejtësi, prezantoi punën intensive të Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë muajit të parë krijimit të tij.
Znj. Llagami prezantoi të gjitha hapat e ndërmarra për funksionalizimin e institucionit, prioritetet e mandatit të parë si dhe sfidat ligjore dhe institucionale të tij. Ajo theksoi angazhimin e të gjithë anëtarëve të KLGj-së për kryerjen me përgjegjësi të detyrave kushtetuese, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtesisë, rritjen e transparencës dhe parandalimin e fenomeneve që dëmtojnë imazhin e trupës gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.
Disa nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara në këtë takim ishin ato të krijimit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, emërimi i antarëve të Gjykatës së Lartë dhe verifikimi i kandidatëve për magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës.