Takim me përfaqësuesit e Shkollës së Magjistraturës
Sot, më datë 19.11.2024, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, priti në një takim pune në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi, shoqëruar nga z. Sokol Berberi, Përgjegjës i Programit të Formimit Fillestar, z. Vangjel Kosta, Përgjegjës i Programit të Formimit Vazhdues dhe znj. Borana Mustafaraj, Këshilltare Akademike.
Gjatë këtij takimi u diskutuan çështje të bashkëpunimit të përbashkët, siç janë përmirësimi i trajnimit fillestar për kandidatët magjistratë si edhe atij profesional vazhdues për magjistratët gjyqtarë, me synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve në sistemin gjyqësor.
Z. Rusi theksoi rolin e rëndësishëm që ka Shkolla e Magjistraturës në formimin profesional të gjyqtarëve, ndihmësve ligjorë si edhe administratës gjyqësore. Forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve, është i rëndësishëm për rritjen e cilësisë dhe efiçencës në gjyqësor, në shërbim të interesit publik.
Nga ana tjetër, z. Rakipi shprehu gadishmërinë e Shkollës që në koordinim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe partnerët mbështetës, të mund të ofroj standardet më të larta në formimin e magjistratëve.