Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin Vjetor mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023
Sot, më datë 15 korrik 2024, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin Vjetor mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023.
Në respektim të detyrimit ligjor, parashikuar nga neni 82 i Ligjit nr. 115/2015 “Për organet e sistemit gjyqësor në Shqipëri”, i ndryshuar, znj. Llagami njohu deputetët e Kuvendit mbi zhvillimet në sistemin gjyqësor me fokus, kryesisht në iniciativat e ndërmarra nga Këshilli në kuadër të mirë-administrimit gjyqësor, ruajtjes së aksesit dhe kapitalit njerëzor, si dhe rritjes së efiçencës së shërbimeve gjyqësore. Gjithashtu, sfidat e pushtetit gjyqësor si burimet e limituara infrastrukturore, financiare dhe njerëzore dhe nevoja për një qasje kombëtare në adresimin e stokut të çështjeve të prapambetura në gjykatat shqiptare, u artikuluan një zëri nga Kryetarja e Këshillit.
Prezantimi i raportit, vijoi me një sëri pyetjesh nga deputetët e pranishëm në seancë për tu njohur në detaje me aspekte specifike të veprimtarisë dhe kompetencave të Këshillit.