Njoftim Për Shtyp Datë 11 Korrik 2024
Sot, në datë 11.07.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli vendosi mbi miratimin e udhëzuesit “Për mënyrën e përdorimit të teknologjisë audiovizive në procesin gjyqësor”.
Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi rregulloren “Për përdorimin e postës elektronike zyrtare në KLGJ dhe sistemin gjyqësor”.
Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil gjyqësor të këshilltares ligjore në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës së Lartë znj. Monika Çuhadari, për shkak të dorëheqjes.
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…} për periudhën 2020-2022.
Këshilli miratoi vendimin për shfuqizimin e vendimit nr. 97, datë 29.02.2024 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për pezullimin e procedimit disiplinor nr. 1/2024, të filluar ndaj magjistrates znj. {…}, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}” dhe vijimin e shqyrtimit të tij.
Pas shqyrtimit të kërkesave së ardhura nga gjykata, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjes gjyqësore të veçantë në gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për kualifikimin/skualifikimin e kandidatit z. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2021-2022”.
Gjithashtu, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimeve “Për kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelarit në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë z. {…}”/ “Për skualifikimin dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së kancelarit në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë z. {…}”.
Në përfundim, Këshilli vendosi për kualifikimin e kandidates fituese për në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës, viti akademik 2023 – 2024, profili ndihmës ligjor, znj. Andiola Turtulli.