Njoftim për Shtyp datë 16 Maj 2024
Sot, në datë 16.05.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…} dhe të caktojë seancën e radhës më datë 29.05.2024.
Më tej, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…}, për vitin 2022.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016”.
Në vijim, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016”.
Këshilli miratoi vendimin për hapjen e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës civile.
Gjithashtu, Këshilli vendosi për mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}, znj. {…}.
Ndër të tjera, Këshilli vendosi për shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli miratoi procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datave 06.03.2024, 11.03.2024, 13.03.2024, 14.03.2024, 18.03.2024, 19.03.2024 dhe 27.03.2024.