Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilluan mbledhjen e përbashkët vjetore në përmbushje të detyrimit ligjor përcaktuar nga neni 170 i Ligjit 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

Sot në datën 10 Maj 2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilluan mbledhjen e përbashkët vjetore në përmbushje të detyrimit ligjor përcaktuar nga neni 170 i Ligjit 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Kjo mbledhje, e cila u mbështet nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Projekti EU4Justice, u mbajt në Ditën e Drejtësisë, për shkak të simbolikës që përfaqëson kjo datë për sistemin juridik shqiptar.

Të pranishëm në aktivitet ishin z. Bajram Begaj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian, z. David Ëisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane, z. Ulsi Manja, Ministri i Drejtësisë, znj. Clarisse Pasztory Kryetare në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, anëtarët e të dy këshillave, përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet kushtetuese të Republikës, përfaqësues të trupës gjyqësore dhe të prokurorisë, si dhe partnerë ndërkombëtar.

Mbledhja u hap më fjalën përshëndetëse të Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Llagami, e cila theksoi se kjo është një ditë reflektimi. Organizimi i takimeve në një ditë si kjo, që kremton përpjekjet tonë të përbashkëta tek drejtësia që kemi dhe ajo që duam, tashmë është kthyer një traditë për Këshillin.

Znj. Llagami nënvizoi se llogaridhënia dhe përgjegjshmëria janë dy shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës, të cilat nuk janë në kundërshtim me njëra tjetrën, përkundrazi, gur themeli për një drejtësi që i përgjigjet pritshmërive të publikut.

Gjatë tryezës së rrumbullakët që u mbajt në kuadër të këtij aktiviteti, z. Ridvan Hado, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, njëkohësisht Kryetar i Komisionit Disiplinor prezantoi draft rregulloren për bashkimin e procedimeve disiplinore në rastet kur një gjyqtar dhe një prokuror janë të përfshirë në të njëjtën shkelje. Rregullore kjo e cila është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy Këshillave, me kontributin e rëndësishëm të ekspertëve ndërkombëtar.

Në përfundim të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit diskutuan mbi aspektet praktike të zbatimit të përbashkët të kësaj rregulloreje si dhe mbi çështje të tjera me interes të përbashkët.

Back to top