Njoftim për shtyp datë 20 Shkurt 2024
Sot, në datë 20.02.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli vendosi miratimin e “Raportit vjetor mbi veprimtarinë e Këshilltarit për Etikën për vitin 2023”.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit, Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit për gjyqtarin z. {…} për vitin 2022.
Më tej, Këshilli miratoi hapjen e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtatë pozicione të lira në fushën e të drejtës civile dhe dy në fushën e të drejtës penale si dhe hapjen e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për tre pozicione të lira në fushën e të drejtës civile dhe dy në fushën e të drejtës penale.
Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm për dy pozicione të lira në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe dy pozicione të lira në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Pas caktimit me short të relatorit, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve të papërfunduar nga relatori i mëparshëm.
Në vijim, Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 3/2024, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ndaj magjistratit {…}, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për transferimin e gjyqtarit z. {…} në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli vendosi “Për komandimin e gjyqtares znj. Nurjeta Pogaçe në pozicionin “Pedagoge e Brendshme” në Shkollën e Magjistraturës” .