Njoftim për shtyp datë 4 Dhjetor 2023
Sot, në datë 04.12.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli miratoi vendimin për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në formim fillestar, për ndihmës ligjor, znj. {…}.
Pas shqyrtimit të projektakteve, Këshilli miratoi raportet për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, si dhe për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…}, për periudhën e vlerësimit 2017-2019.
Në vijim, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi pagesën e trajtimit financiar të magjistratëve, profili gjyqtarë, të diplomuar në vitin akademik 2022 – 2023”.
Këshilli miratoi vendimin mbi transferimin e një automjeti (autoveturë), në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Ndër të tjera, Këshilli vendosi për caktimin me short të realtorit për procedimin disiplinor nr.4/2023, të filluar nga Inspektorit i Lartë i Drejtësisë, ndaj magjistratit z. {…} me funksion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë {…}.
Këshilli vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimeve “Për kualifikimin e kandidatit z. {…} dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr.178, datë 11.05.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor” / “Për skualifikimin e kandidatit z. {…}, dhe përjashtimin e tij nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë”.
Gjithashtu, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimeve “Për kualifikimin e kandidatit z. {…} dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr.178, datë 11.05.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor”/ “Për skualifikimin e kandidatit z. {…}, dhe përjashtimin e tij nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë”.
Këshilli vendosi për shtyrjen e shqyrtimit të pojektvendimeve “Për kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelarit në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…} z. {…} / “Për skualifikimin dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së kancelarit në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…} z. {…}”.
Në përfundim, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimeve “Për kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelares në detyrë, znj. {…}” / “Për skualifikimin dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës së kancelares në detyrë, znj. {…}”.