Njoftim për shtyp datë 13 Shtator 2023
Sot, në datë 13.09.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli miratoi vendimin për propozimin e z. Valbon Çekrezi për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e së drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 537, datë 17.11.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në kuadër të miradministrimit të fondeve buxhetore, Këshilli vendosi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2023.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin mbi rishpërndarjen (transferimin) e disa automjeteve (autovetura), në sistemin gjyqësor.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për konfirmimin si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë të gjyqtares znj. Iva Zemani dhe zgjatjen e mandatit të komandimit me 1 (një) vit.
Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 18, datë 18.01.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në respektim të dispozitave ligjore, Këshilli vendosi për transferimin e gjyqtarit z. Gentian Marku në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si dhe të znj. Kostandina Kuro në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit për z. {…} për periudhën 2017-2019.
Këshilli vijoi mbledhjen duke miratuar vendimin për një ndryshim në listën e gjyqtarëve udhëheqës të caktuar me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 466, datë 25.07.2023, të ndryshuar me vendimin nr. 470, datë 26.07.2023.
Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Engjëllushe Tahiri dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm, për pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr. 502 dhe nr. 503 datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në përfundim, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.