Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Deklarata e Unionit të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë në lidhje me sulmet mediatike ndaj gjyqtarëve

Unioni i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ju drejtohet për të kërkuar ndërmarrjen e masave për situatën e paprecedentë të krijuar së fundmi nga disa media/platforma online, që sulmojnë e kërcënojnë drejtpërsëdrejti gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë dhe cënojnë në mënyrë të pajustifikuar, besimin e publikut tek drejtësia.

Unioni vëren me keqardhje se, në një kohë që media e shkruar dhe ajo televizive, përbëjnë një faktor të rëndësishëm në rritjen e transparencës në gjyqësor, kohët e fundit, një sërë artikujsh mediatik, me përmbajtje fyese, denigruese e të pavërtetë, që cënojnë rëndë imazhin e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, kanë qarkulluar në mediat online.

Kështu, sjellim në vëmendje se, më datat 18.10.2022, 06.11.2022, 13.11.2022, 14.11.2022, 15.11.2022, 16.11.2022, artikuj të publikuar në faqet “prapaskena.com”, “demaskimi”, “in-front.org” etj, apo të shkruar nga gazetar (individ), kanë sulmuar personalisht Zv.kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Zv.kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, një gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, një gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke aluduar për histori që as nuk i korrespondojnë realitetit, as sjellin ndonjë benefit për publikun. Gjuha e përdorur ka qenë një gjuhë fyese, intimiduese, kërcënuese, duke përbërë qartazi krim urrejtjeje, përveç shpifjes ndaj një gjyqtari, si funksionar i sistemit të drejtësisë.

Unioni vëren me keqardhje se, rastet e mësipërme reflektojnë vetëm disa shembuj të sulmeve mediatike të pajustifkuara ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar intimidimin, kërcënimin dhe ndikimin e paligjshëm të tyre nëpërmjet përndjekjes mediatike.
Unioni vëren njëkohësisht se, në një kohë që liria e shtypit përbën një prej lirive themelore të një shteti demokratik, ajo ushtrohet në respektim të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, e asnjëherë si formë presioni e ushtrimi ndikimi të paligjshëm.

Për pasojë, Unioni fton të gjithë mediet serioze që të jenë pjesë e procesit të rritjes së llogaridhënies e transparencës në gjyqësor, e për të kontribuar së bashku në forcimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Unioni i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht kërkon marrjen e masave të menjëhershme si më poshtë:

  •  Reagimin e menjëhershëm të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për të ndërmarrë masa për identifikimin e zotëruesve të këtyre portaleve e çdo portali/ subjekti që do të veprojë në të njëjtën formë të kundërligjshme në të ardhmen dhe paraqitjen e kërkesës për mbylljen e tyre, për shkak të kryerjes së veprave penale të shpifjes, fyerjes së gjyqtarit, si dhe për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes.
  •  Fillimin e procedimit penal e kryerjen e hetimeve të menjëhershme për rastet e sipërcituara.
  •  Veprimin automatik e të menjëhershëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, kundrejt çdo individi apo subjekti publikues, që me veprimet e tij ka shfaqur apo do të shfaqë në të ardhmen, gjuhë urrejtjeje duke kërcënuar kështu mediatikisht gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë.
  •  Reagimin e menjëhershëm të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për konstatim të diskriminimit mediatik, nëpërmjet përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe përndjekjes mediatike, për shkak profesioni dhe/ose përkatësie gjinore.
Back to top