Njoftim për shtyp, datë 27 Korrik 2022
Sot, në datën 27.07.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli vendosi pezullimin nga detyra të magjistrates , znj. {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për shkak të masës së sigurimit personal {…}, caktuar me vendimin Nr. {…} të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren znj. {…} me detyrë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, si dhe të znj. {…}, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Në vijimësi të mbledhjes, Këshilli miratoi projektvendimin për caktimin në pozicion, në mënyrë të përhershme, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, të dy gjyqtareve znj. Irena Gjoka dhe znj. Etleva Deda.
Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të gjyqtarit z.{…}.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për zbatimin e rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin përfundimtar për auditimin tematik në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi sot edhe vendimin për pranimin në shërbimin civil gjyqësor të znj. Egesta Ahmetaj, në pozicionin e këshilltarit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës së Lartë.
Më tej, Këshilli vendosi për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit {…}, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale të z.{…}.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vijoi mbledhjen plenare me miratimin e dy projektvendimeve mbi verifikimin e plotësimit nga kandidatet znj. {…} dhe znj. {…}, të procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale.
Mbledhja e ditës së sotme pasoi me miratimin e vendimit për ndryshimin pjesërisht të listës së gjyqtarëve udhëheqës, të caktuar me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor Nr. 252 dt. 07.07.2022, zëvendësimin e gjyqtarit z. Bedri Qori në mentorim me gjyqtarin z. Gert Hoxha.
Këshilli, miratoi kualifikimin e kandidates znj. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2021-2022 si dhe vendosi për kryerjen e verifikimeve shtesë mbi kualifikimin/skualifikimin e kandidatit z. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2021-2022.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli miratoi vendimin për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.