Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

DEKLARATË PËR SHTYP, E GJYKATËS SË APELIT VLORË

Duke marrë shkas nga publikimi i bërë në datë 23.06.2022 në një prej emisioneve investigative, në lidhje me vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë që i përket kërkesës së pandehurit Helidon Gjikoka për zëvëndësim mase sigurimi, Gjykata e Apelit, në respekt të së drejtës kushtetuese të publikut për informim, si dhe në përputhje me parimet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe pavarsisë së pushtetit gjyqësor, sqaron opinionin publik si më poshtë vijon:

Në datë 11.05.2022, mbi bazën e ankimit të pandehurit Helidon Gjikoka, është regjistruar në Gjykatën e Apelit Vlorë, çështja e veçantë penale, që i përket:

Kërkues: Helidon Gjikoka;

Objekt: Zëvëndësim mase sigurimi, ne bazë të nenit 260/2 të K.Pr.Penale.

Me vendimin Nr.166, datë 18.05.2022 të Gjykatës së Apelit Vlorë, është vendosur:

Ndryshimi i vendimit Nr.165, datë 04.05.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe caktimi ndaj të pandehurit Helidon Gjikoka të masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Garancia pasurore” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 236 dhe 234 të K.Pr.Penale.

Duke sjellë në vëmëndje të opinionit publik parimin se, në një shtet të së drejtës dhe demokratik, vendimet gjyqësore, edhe pse shpallen publikisht dhe janë të aksesueshme për publikun, ato nuk mund të jenë objekt komentesh, por ankimohen në gjykatën më të lartë, sipas parimit kushtetues të vetëkontrollit dhe vetëkorrigjimit të pushtetit gjyqësor, për nevoja të transparencës dhe mirëinformimit të publikut, sqarojmë opininon publik se, Gjykata e Apelit, si gjykatë me juridiksion rishikues në drejtim të mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të ligjit, si dhe çmuarjes ose vlerësimit të provave nga gjykata e shkallës së parë, ka bërë një interpretim të ndryshëm nga ai i gjykatës së shkallës së parë,  të normave procedurale që kanë të bëjnë me zëvëndësimin e masave të sigurimit, me pasojë ndryshimin e vendimit objekt ankimi dhe pranimin e kërkesës së pandehurit Helidon Gjikoka për zëvëndësimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” me masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 234 dhe 236 të K.Pr.Penale.

Ashtu sikundër është arsyetuar edhe në vendimin e Gjykatës së Apelit, përmbajtja e të cilit do të duhet të ishte aksesuar paraprakisht nga subjektet kontestuese, konkluzioni i kësaj gjykate është rrjedhojë e qëndrimit të mbajtur nga prokurori i çështjes në gjykimin në shkallë të parë, i cili ka qënë dakord me pranimin e kërkesës së pandehurit për zëvëndësimin e masës së sigurimit, qëndrim i cili, në vlerësimin e Gjykatës së Apelit, e detyron gjykatën të zëvëndësojë masën e sigurimit me një masë tjetër më të butë.

Në përfundim të këtij reagimi, në koherencë edhe me reagime të tjera të mëparshme, Gjykata e Apelit, duke qënë e vetëdijshme për rolin e pazëvëndësueshëm të medias, në funksion të informimit të publikut dhe kontrollit me qëllim përmirësimi të pushtetit gjyqësor, si shprehje e vlerave më të larta në një shtet demokratik, mbetet e hapur dhe mirëpret çdo lloj iniciative mediatike që i shërben këtyre vlerave, të cilat në analizë të fundit kontribuojnë në garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

 

 

Back to top