Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

DEKLARATË PËR SHTYP

Në datën 22.06.2022 gjatë transmetimit të një emisioni televiziv investigativ, është diskutuar mbi një vendim gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Ndër të tjera, në këtë emision, janë komentuar në mënyrë jo etike dhe fyese qëndrimet e gjyqtares Nertila Kape dhe mënyra e zgjidhjes së çështjes nga ana e gjykatës.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës.

Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.

Sjellim në vëmendjen e opinionit publik se Këshilli i Lartë Gjyqësor respekton rolin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër, edhe media duhet të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe gjyqtarit. Respekti ndaj gjykatës dhe figurës së gjyqtarit i shërben si forcimit të drejtësisë, ashtu edhe lehtësimit të komunikimit efektiv me publikun rreth veprimtarisë së sistemit gjyqësor.

Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i udhëhequr nga parimet e profesionalizmit, transparencës, ndershmërisë, llogaridhënies dhe besueshmërisë, është i angazhuar për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, ku një ndër objektivat e tij kryesorë është forcimi i bazave për përmirësimin e marrëdhënieve të gjyqësorit me median, në çdo rast duke garantuar respektin reciprok.  ​

Back to top