Njoftim për shtyp, datë 10 Qershor 2022
Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 10.06.2022, mbledhjen plenare dedikuar “Hartës së Re Gjyqësore”.
Në këtë mbledhje të veçantë, Këshilli miratoi raportin vlerësues përfundimtar të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave.
Miratimi i aktit të “Hartës së Re Gjyqësore” shënon përmbylljen e një pune 3-vjeçare të Grupit Ndërinstitucional të Punës, i cili është mbështetur dhe asistuar intensivisht nga ekspertët e Këshillit të Evropës, EWM dhe INL. Në aktin e miratuar u reflektuan sugjerimet dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Në bazë të këtyre konsultimeve GNP vendosi që reforma e “hartës gjyqësore” në Shqipëri të synojë bashkimin e gjykatave më të vogla dhe më pak efikase.
Propozimi mbi “Hartën e Re Gjyqësore” është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare. Mbështetur në metodologjinë CEPEJ, propozimi mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore krijon një qasje novatore që rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët, realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve dhe nxit specializimin, me pasojë reduktimin e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje e dhënies së një drejtësie më cilësore.
“Harta e Re Gjyqësore” garanton zbatimin e një sërë objektivash të tilla si:
- garantimin e aksesit në drejtësi;
- uljen e kostove;
- përdorimin efikas të burimeve publike;
- përmirësimin e cilësisë dhe performancës së duhur të shërbimeve të ofruara;
- ngarkesën e ekuilibruar të punës midis gjyqtarëve;
- sigurimin e një numri minimal të vendosur nga ligji për gjyqtarët në çdo gjykatë, me qëllim jo vetëm ruajtjen e funksionalitetit, por edhe nxitjen e specializimit, krijimin e seksioneve me jo më pak se 6 gjyqtarë…etj.
Përgjatë Mbledhjes Plenare të sotme u miratua propozimi për riorganizimi i gjykatave si vijon:
Riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, nga njëzetë e dy gjykata të rretheve gjyqësore në trembëdhjetë gjykata të tilla, me kompetenca tokësore si më poshtë:
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, me seli në qytetin Berat dhe kompetencë tokësore në bashkitë Berat, Dimal, Kuçovë, Skrapar dhe Poliçan;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me seli në qytetin Peshkopi dhe kompetencë tokësore në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me seli në qytetin Durrës dhe kompetencë tokësore në bashkitë Durrës, Shijak, Kavajë dhe Rrogozhinë;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me seli në qytetin Elbasan dhe kompetencë tokësore në bashkitë Elbasan, Cërrik, Belsh, Peqin, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me seli në qytetin Fier dhe kompetencë tokësore në bashkitë Fier, Patos, Roskovec, Lushnje, Divjakë dhe Mallakastër;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, me seli në qytetin Gjirokastër dhe kompetencë tokësore në bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe Dropull;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me seli në qytetin Lezhë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me seli në qytetin Korçë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Korçë, Maliq, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, me seli në qytetin Kukës dhe kompetencë tokësore në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me seli në qytetin Sarandë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me seli në qytetin Shkodër dhe kompetencë tokësore në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me seli në qytetin Tiranë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Krujë;
- Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me seli në qytetin Vlorë dhe kompetencë tokësore në bashkitë Vlorë, Selenicë dhe Himarë.
Riorganizimin e gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, nga gjashtë gjykata apeli, në një Gjykatë Apeli të Juridiksionit të Përgjithshëm, që organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në qytetin Tiranë.
Riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë, nga gjashtë gjykata administrative në dy gjykata të tilla, me kompetenca tokësore si më poshtë:
- Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me seli në qytetin Tiranë dhe kompetencë tokësore që përfshin rrethet gjyqësore, Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Korçë.
- Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnje, me seli në qytetin Lushnje dhe kompetencë tokësore që përfshin rrethet gjyqësore Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.
Miratimi i këtij akti nga KLGJ me natyrë vlerësuese të organizimit aktual dhe kompetencave tokësore të gjykatave i hap rrugën procesit të marrjes së mendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave.
Marrja e mendimit nga institucionet e mësipërme përbën kushtin ligjor që duhet përmbushur përpara bashkëpropozimit për Hartën e Re Gjyqësore dhe përcjelljen për miratim pranë Këshillit të Ministrave.