Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 19 Tetor 2021

Sot, në datën 19.10.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në kuadër të përgjegjësive që ka lidhur me rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, Këshilli, në vijim të procedurave të verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore përfshirë dhe pasurinë e figurën, të kandidatëve për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022, profili gjyqtar, vendosi kualifikimin e 6 (gjashtë) kandidatëve: znj. Eni Naqellari, znj. Ermira Bushi, z. Mexhit Doçi, z. Enri Rista, z. Ervis Koxhaj dhe z. Uran Korra.

Në vijim, pas verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për këshilltar dhe ndihmës ligjorë, vendosi kualifikimin dhe vijimin e procedurës për emërimin në shërbimin civil gjyqësor të 3 (tre) kandidatëve:

  • Inesa Çela (Elezi), në pozicionin e këshilltares ligjore;
  • Eglantina Shabanaj, në pozicionin ndihmëses ligjore në gjykatat e apelit;
  • Edlira Llango, në pozicionin e këshilltares ligjore;

Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelares në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë, znj. Lertida Balili.

Këshilli, nisur nga një analizë e plotë të aktivitetit financiar të periudhës 8 mujore të këtij viti, bazuar dhe në nevojat e paraqitura nga gjykatat, miratoi rishpërndarje të fondeve në programin buxhetor “Buxheti gjyqësor”.

Këshilli vendosi pranimin në shërbimin gjyqësor civil, në pozicionin e këshilltarëve ligjorë në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Lartë, të znj. Eranda Hysi, z. Zef Macaj dhe znj. Elenita Myftari.

Në funksion të mirëadministrimit të sistemit gjyqësor, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqim, të gjyqtares znj. Ema Shaholli, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.

Lidhur me caktimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor nr.8/2021, ndaj magjistratit, {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi zhvillimin e saj në datën 10.11.2021, ora 11:00.

Këshilli miratoi procesverbalet e disa mbledhjeve plenare dhe në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.

 

Back to top