Njoftim për shtyp, datë 22 Shtator 2021
Sot, në datën 22.09.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për gjyqtarët znj. Elona Mihali, znj. Alma Ahmeti dhe znj. Marsela Dervishi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019.
Këshilli vendosi refuzimin e kërkesës së gjyqtarit z. Astrit Kalaja, për përjashtimin nga procedurat e ndarjes së çështjeve me short në Gjykatën e Apelit Shkodër.
Në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së përzgjedhjes për ngritjen në detyrë në gjykatat e Apelit Durrës, Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Vlorë, Administrative të Apelit dhe gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 10 pozicione të lira, të shpallura me vendimet përkatëse të KLGJ-së.
Gjithashtu, Këshilli vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për ngritjen në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të znj. Iliriana Olldashi.
Këshilli vendosi caktimin e datës 11.10.2021, ora 11:00, për zhvillimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor nr.7/2021, ndaj magjistratëve, {…} dhe {…}, me detyrë gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit {…} dhe caktimin e datës 11.10.2021, ora 13:00, për zhvillimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor nr.6/2021, ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelarit në detyrë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë, z. Aleksandër Dino dhe kancelares në detyrë në Gjykatën e Apelit Korçë, znj. Geralda Kasuli.
Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksione në mënyrë të përhershme.