KËSHILLTARI I ETIKËS
Këshilltari i Etikës ushtron funksionet e tij bazuar në parashikimet e nenit 83, pika 1 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në kuadër të të cilave harton dokumente të cilat duhet të jenë të aksesueshme nga gjyqtarët dhe publiku.
Opinione
Biografia
ALBANA BOKSI
Anëtare e Gjykatës së Lartë
Albana Boksi u lind më 7 tetor 1974 në Shkodër. Në vitet 1993 – 1997 ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Në vitet 1998 – 2001 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, Tiranë, duke fituar titullin “Magjistrat Gjyqtar”. Në vitin 2011 ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë Tiranë, në nivelin “Master shkencor në të drejtën penale”.
Në vitet 2000-2001, me dekret të Presidentit të Republikës të datës 15/09/2000, është emëruar “Gjyqtare”, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka kryer stazhin profesional. Në vitet 2001-2006, me dekretin nr. 3111, datë 02/10/2001 të Presidentit të Republikës, është emëruar “Gjyqtare”, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në vitin 2006, me dekretin nr. 4793, datë 28/02/2006, të Presidentit të Republikës, është emëruar “Gjyqtare” pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë. Prej muajit maj 2011 deri maj të vitit 2014, ka punuar si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës. Gjatë viteve 2014 – 2019 ka ushtruar funksionin e Gjyqtares në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, dhe në muajin dhjetor 2019 është caktuar në pozicionin e Gjyqtares në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Me vendimin nr. 208, datë 11/10/2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Boksi është caktuar në pozicionin e ‘Këshilltarit për Etikën’, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, pa u shkëputur nga ushtrimi i detyrës së gjyqtarit.
Znj. Boksi, ka një eksperiencë të pasur në fushën e mësimdhënies në disa universitete publike dhe private, aktualisht është pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës. Ajo ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës. Është bashkëautore në disa botime e studime si; “Manual i Etikës Gjyqësore”, “E drejta për akses në gjykatë në çështjet civile”, “Trafikimi i qenieve njerëzore” etj., si edhe pjesë e grupit të ekspertëve në hartimin e Komentarit Elektronik të Kodit të Procedurës Penale.
Me dekretin nr. 12031, datë 19/03/2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lartë.