Njoftim për shtyp, datë 2 Prill 2021
Sot, në datën 02.04.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në zbatim të detyrimeve ligjore dhe me qëllim konsolidimin e administratës gjyqësore në funksion të mbështetjes të punës së gjyqtarëve, Këshilli vendosi miratimin e listave emërore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022.
Në kuadër të procesit të plotësimit të pozicioneve të lira në gjykata, Këshilli vendosi ngritjen në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të znj. Miliana Muça.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.