Takim me Drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë
Sot, më datë 11.12.2024, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, priti në ambientet e Këshillit, Drejtuesen e Zyrës së Këshilli të Europës në Tiranë, znj. Giulia Re.
Objekti i takimit ishte vijimi i bashkëpunimit me fokus rritjen e efiçencës dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore për përdoruesit e gjykatave përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe mjeteve online.
Gjatë diskutimit, bashkëbiseduesit u ndalën në mënyrë konkrete tek nevoja për mirë- administrimin e statistikave gjyqësore si dhe digjitalizimin e shërbimeve gjyqësore. Përdorimi i gjerë i instrumenteve teknologjike, tashmë të pilotuara nga KLGJ falë bashkëpunimit me Këshillin e Europës, siç janë platforma e njoftimeve elektronike dhe matja e nivelit të kënaqësisë së përdoruesve të gjykatës në lidhje me aspektet kyçe të shërbimeve gjyqësore, në të gjitha gjykatat e vendit kanë qëllim të evitojnë zvarritjet në gjykim si edhe të rrisin përgjegjshmërinë e administratës gjyqësore dhe të forcojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Të pranishmit u dakordësuan për konsolidimin e bashkëpunimit në vijim, në lidhje me sfidat kryesore me të cilat përballet KLGJ si edhe mbi mekanizmat për adresimin e tyre.