Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim Për Shtyp datë 18 Dhjetor 2024

Sot, më datë 18.12.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të rradhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatit z. Albert Meça dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 245, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vijim, Këshilli vendosi caktimin me short të relatores për procedimin disiplinor nr. 6/2024, të filluar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.

Këshilli miratoi vendimin mbi transferimin e një automjeti dhe nxjerrjen nga përdorimi të disa aktiveve në dy gjykata.

Këshilli vendosi për përsëritjen e komandimit të gjyqtarit z. Gentjan Jahjolli në pozicionin këshilltar juridik në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Më tej, Këshilli vendosi për transferimin e gjyqtares znj. {…} në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Këshilli miratoi vendimin për komandimin e gjyqtares znj. Kostandina Kuro në pozicionin e nënpunësit përgjegjës për vlerësimin, në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të Gjyqtarëve, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi 4 raporte vlerësimi etik dhe profesional për 4 gjyqtarë. Në mënyrë më konkrete raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares, znj. {…}  për periudhën e vlerësimit 2017-2019, si dhe raportet  për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtareve znj. {…} dhe znj. {…} me qëllim gradimin për periudhën e vlerësimit 2013-2016.

Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares së komanduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, znj. {…} për periudhën 02.03.2020-14.06.2023.

Gjithashtu, Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…} për periudhën 2017-2019”.

Në përfundim, Këshilli vendosi miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 14.11.2024, 20.11.2024 dhe 26.11.2024.

Back to top