Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor merr pjesë në konferencën “7 vite rivlerësim kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”
Më datë 16.12.2024, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi mori pjesë në konferencën me titull “7 vite rivlerësim kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Kjo konferencë, u bashkë-organizua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Institucioni i Komisionerëve Publikë, në përfundim të mandatit të tyre kushtetues, si dhe përmbylljes me sukses të procesit të rivlerësimit kalimtar për 805 subjekte, gjyqtarë, prokurorë e ndihmës ligjorë.
Pjesë e panelit të kësaj konference ishin: znj. Vanhorn, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-ve, z. Gonzato, Ambasadori i BE-së, z. Çomo, Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Dumani, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe z. Fejzulla, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Rusi, si pjesë e panelit të kësaj konference, gjatë fjalës së tij shprehu vlerësimin për punën e gjithë aktorëve që morën pjesë në përfundimin e një procesi kaq të rëndësishëm, si dhe kontribuan në atë që sistemi gjyqësor është aktualisht, me një të ardhme të projektuar drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Z. Rusi theksoi angazhimin maksimal të treguar nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke ndërvepruar në mënyrë të shpejtë dhe cilësore me të gjithë aktorët e përfshirë gjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij procesi.
Në përmbyllje të ndërhyrjes së tij, z. Rusi garantoi se KLGJ zotëron të gjitha kapacitetet ligjore, administrative dhe profesionale për ta vijuar këtë proces duke u udhëhequr nga parimet e efektivitetit, profesionalizmit dhe transparencës.
Ky takim mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, trupit diplomatik, aktorë të reformës në drejtësi, si dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi sfidat me të cilat janë përballur organet e vettingut, si dhe të ardhmen e këtij procesit, si pjesë e reformës në drejtësi.