Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Takim me të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane

Më datë 12 nëntor 2024, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, si edhe anëtarët e Këshillit pritën në një takim pune znj. Nancy VanHorn, të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane, në Tiranë.

Gjatë këtij takimi, znj. VanHorn i përcolli z. Rusi përgëzime për funksionin e Kryetarit të Këshillit dhe e garantoi për mbështetjen e SHBA në vijimin e reformave të ndërmarra nga Këshilli, që kanë si synim një gjyqësor të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës.

Të pranishmit u angazhuan në diskutime në lidhje me prioritetet kryesore të Këshillit siç janë vijimi me prioritet i procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, në funksion të ngritjeve në detyrë, si edhe plotësimi i vakancave përmes mekanizmave ligjore. Po ashtu të pranishmit diskutuan mbi zbatimin e strategjisë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, në gjykatat me ngarkesën me të theksuar si dhe nevojën për ndërveprim edhe me aktorë të tjerë, me qëllim vënien në jetë të masave të parashikuara nga kjo strategji.

Në përfundim të takimit, të pranishmit u angazhuan për një bashkëpunim të mëtejshëm, në lidhje me çështjet kryesore në agjendën e Këshillit, që lidhen kryesisht me plotësimin e vakancave dhe reduktimin e backlog-ut.

 

Back to top