Takim me përfaqësues të strukturave BE
Sot, më datë 27.11.2024, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi priti në një takim pune, Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit pranë Komisionit Europian, znj. Valentina Superti, shoqëruar nga Shefja e Sektorit të Drejtësisë pranë Delegacionit të Bashkimit Europian, znj. Cinzia Tarletti.
Gjatë këtij takimi të pranishmit diskutuan mbi sfidat me të cilat po përballet aktualisht KLGJ, si organi qeverisës i pushtetit gjyqësor, siç janë vakancat e shkaktuara nga procesi vetting, çështjet e prapambetura si edhe mungesa e një sistemi të integruar të menaxhimit të çështjeve. Po ashtu u diskutua edhe mbi transferimin e kompetencave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, drejt KLGJ-së, me përfundimin e mandatit në dhjetor 2024.
Përfaqësueset e BE vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe garantuan mbështetjen e tyre ndaj Këshillit, në lidhje me keto proçese të rëndësishme.
Nga ana tjetër Z. Rusi shprehu vlerësimin e tij për asistencën e vazhdueshme të BE-së në realizimin e prioriteteve kryesore të Këshillit për të ardhmen, që siç janë evidentuar edhe nga gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, janë vijimi me prioritet i procesit të vlerësimit etik dhe profesional me qëllim ngritjet në detyrë të gjyqtarëve si edhe plotësimi i mëtejshëm i vakancave.