Vizitë studimore e Këshillit të Lartë Gjyqësor në institucionin homolog në Spanjë
Në datat 3 – 7 Nëntor 2024, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, dhe anëtarët e tij morën pjesë në një vizitë studimore në Këshillin Gjyqësor Spanjoll. Kjo vizitë u organizua në kuadër të projektit të Bashkimit Europian “EU4Justice” dhe në takimet e zhvilluara gjatë kësaj vizite ishte i pranishëm edhe z. Álvaro Renedo Zalba, Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri.
Qëllimi primar i vizitës studimore ishte forcimi i kapaciteteve dhe rritja e efikasitetit të Këshillit përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe ndarjes së praktikave më të mira të punës me institucionin homolog.
Në funksion të këtij qëllimi, u zhvilluan takime me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor Spanjoll në Madrid, Gjykatën e Lartë si dhe përfaqësues të njësive të ndryshme, ndër të cilat: Shërbimin e Trajnimit të Vazhdueshëm, Inspektimit Gjyqësor, Ndihmës së Qytetarëve si dhe Fondacionin Ndërkombëtar dhe Ibero-Amerikan për Administratën dhe Politikat Publike (FIIAP). Vizita u finalizua me takimin e organizuar në Shkollën e Magjistraturës, me seli në Barcelonë.
Kjo vizitë, ndër të tjera, shërbeu edhe si një platformë për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut midis organeve gjyqësore të Shqipërisë dhe Spanjës, sidomos në konteksin e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.