Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim Për Shtyp datë 31 Tetor 2024

Sot, në datën 31.10.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli vendosi për rishpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit.

Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për 20 (njëzet) pozicione të lira, konkretisht 12 (dymbëdhjetë) pozicione të lira në fushën e të drejtës civile dhe 8 (tetë) pozicione të lira në fushën e të drejtës penale.

Këshilli vendosi caktimin e relatorit në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve të papërfunduar nga relatori z. Ilir Rusi.

Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 83, datë 20.02.2024, për kandidaten znj. Ersida Bajgora.

Gjithashtu, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit në procedurat e lëvizjeve paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të shpallur me vendimin nr. 83, datë 20.02.2024 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për kandidatët që nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë vlerësim.

Pas shqyrtimit të projektvendimit, Këshilli vendosi për pranimin e kërkesës për qëndrim në detyrë deri në moshën 70 vjeç të z. Rexhep Bekteshi, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Këshilli miratoi vendimet përkatëse për pranimin në shërbimin civil gjyqësor të znj. Anida Bica, z. Besmir Lesaj, znj. Klodiana Bytyçi dhe z. Lulzim Karini dhe caktimin e tyre në pozicionin e ndihmësit ligjor në njësinë e shërbimit ligjor pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimet përkatëse për pranimin në shërbimin civil gjyqësor të znj. Reda Vathi, znj. Aida Metushi dhe znj. Andiola Turtulli caktimin e tyre në pozicionin e ndihmësit ligjor në njësinë e shërbimit ligjor pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në vijim, Këshilli vendosi caktimin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në Bordin Drejtues të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për sistemin e drejtësisë.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Klodiana Veizi dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 239, nr. 240, nr. 241, datë 24.05.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Back to top