Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Takim pune me gjyqtarë dhe prokurorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Sot, më datë 12 korrik 2024, Kryetarja dhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor pritën në një takim kortezie z. Robert Shelby, Kryetarin e Gjykatës në Rrethin Gjyqësor të Utah si dhe znj. Trina A. Higgins, Prokuroren për Rrethin e Utah, të cilët shoqëroheshin nga z. David Wisner, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, si dhe znj. Mary Kate Butterfield dhe z. David Backman, këshilltarë ligjorë, rezidentë në Ambasadë.

Takimi u fokusua mbi organizimin, funksionimin dhe rolin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke u ndalur në mënyrë specifike tek angazhimet e ndërmarra nga Këshilli në drejtim të forcimit të pavarësisë, integritetit dhe transparencës në sistemin gjyqësor. Sfidat me të cilat është ndeshur sistemi i drejtësisë si plotësimi i vakancave, stoku i çështjeve të prapambetura, burimet e limituara financiare, infrastrukturore dhe njerëzore, ishin disa nga çështjet që morën vëmendje të veçantë gjatë diskutimeve.

Takimi vijoi me shkëmbime prespektivash dhe eksperiencash me qëllim tejkalimin me sukses të sfidave të lartpërmendura, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të publikut. Takimi u përmbyll me dëshirën dhe gadishmërinë e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit institucional midis dy vendeve, për të përfituar nga përvojat më të mira në drejtim të administrimit gjyqësor.

Back to top