Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, në funksionin e Kryetares së Bordit të QTI-së, bashkë-kryesoi me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian z. Silvio Gozato, takimin strategjik mbi krijimin e Sistemit të Ri të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve (ICMIS) për Sistemin e Drejtësisë.
Sot më datë 31.05.2024, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, në funksionin e Kryetares së Bordit të QTI-së, bashkë-kryesoi me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian z. Silvio Gozato, takimin strategjik mbi krijimin e Sistemit të Ri të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve (ICMIS) për Sistemin e Drejtësisë.
Në këtë takim ishin prezent Ambasadori i Ambasadës Suedeze z. Niklas Strom, përfaqësuesja e UNOPS-it në Shqipëri si dhe përfaqësues të institucioneve më të larta të sistemit të drejtësisë në vend.
Qëllimi i këtij takimi ishte nxitja e progresit të mëtejshëm dhe unifikimi i përpjekjeve për krijimin e Sistemit të Ri të Manaxhimit të Çështjeve për Sistemin e Drejtësisë, i cili do të mundësojë rritjen e efiçencës dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore për qytetarët. Ndër të tjera, diskutimet u fokusuan tek korniza e ndërveprimit të bazës së të dhënave mes ICMIS-it të ri dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit të institucioneve apo agjensive të tjera në vend, për të garantuar shkëmbimin e sigurt dhe me efikasitet të informacionit.
Në përfundim të takimit, palët dakordësuan për të vijuar me prioritet punën për krijimin dhe vënien në funksion të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve për Sistemin e Drejtësisë.