Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 24 Janar 2024

Sot, në datë 24.01.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli vendosi mbi miratimin e rregullores “Për zhvillimin e  procedurave disiplinore për nëpunësit e tjerë civilë gjyqësorë”. Këshilli miratoi po ashtu vendimin për krijimin e “e-mail server” për postën elektronike zyrtare të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.

Këshilli vendosi për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 426, datë 14.10.2022 “Për miratimin e listave tip me afatet e ruajtjes së dokumenteve gjyqësore që arkivohen në gjykata”.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportet përkatëse të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit z. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016, si dhe të gjyqtares znj.{…}, për periudhën 2020-2022.

Pas caktimit me short të relatorëve, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) të gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

 Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për një ndryshim në listën e gjyqtarëve udhëheqës të caktuar me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 466, datë 25.07.2023.

Pas procedurave të shortit, Këshilli miratoi vendimet përkatëse për caktimin me short të relatorëve për procedimet disiplinore të filluara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë me nr. 1/2024, ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}, si dhe për procedimin disiplinor nr. 2/2024, ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.

 Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimeve “Për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësim znj. {…} në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve”, “Për miratimin e Rregullores “Për përdorimin e postës elektronike zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor””, si dhe “Për mënyrën e përdorimit të teknologjisë audio/audiovizive në procesin gjyqësor”.

 

Back to top