Miratohet “Udhëzuesi Standard i Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median”
Këshilli i Lartë Gjyqësor në Mbledhjen Plenare të datës 06.12.2023, në përmbushje të detyrimeve të tij ligjore, miratoi Udhëzuesin Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, i cili synon rritjen e transparencës, besimit të publikut dhe të kuptueshmërisë nga publiku dhe media, të veprimtarisë gjyqësore nëpërmjet standardizimit të marrëdhënies së gjykatës me publikun dhe median.
Ky akt i rëndësishëm u hartua nga grupi i punës i ngritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, me mbështetjen e projekteve të asistencës teknike, si ai i zbatuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim (EWMI) i financuar nga INL, Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri (SEJ IV), si dhe nga INFOÇIP me mbështetjen e veçantë të Ambasadës Holandeze në Shqipëri.
Udhëzuesi i është nënshtruar procesit të konsultimit publik me gjyqtarët e medias, gazetarët, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe me organizatat e shoqërisë civile, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar maksimalisht për rritjen e transparencës së gjykatave dhe forcimin e marrëdhënieve me median, me qëllim rritjen e besimit të publikut te drejtësia.