Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, zhvilloi një takim me gjyqtarët e rinj të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës për vitin akademik 2022-2023.
Sot, më datë 27.09.2023, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, zhvilloi një takim me gjyqtarët e rinj të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës për vitin akademik 2022-2023.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi ecurinë e procesit të emërimit të gjyqtarëve të sapo diplomuar dhe problematikat e hasura nga Këshilli në këtë proces.
Në kushtet që ndodhet sistemi gjyqësor dhe nevojës për shtimin e burimeve njerëzore nëpër gjykata, Këshilli e ka patur dhe vazhdon ta ketë prioritet të veprimtarisë së tij furnizimin e sistemit me profesionistë të rinj. Ndaj në këtë kontekst, Kryetarja i konfirmoi pjesëmarrësve në takim se tashmë, procesi i emërimit të gjyqtarëve të sapo diplomuar është në rrugën e duhur dhe pritet të realizohet në ditët në vijim.