Njoftim për shtyp, datë 6 Qershor 2023
Sot, në datë 06.06.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli vendosi shtyrjen e zhvillimit të seancave dëgjimore për shqyrtimin e kërkesave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimeve disiplinore ndaj magjistratit z. {…}, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe caktimin e seancës së radhës në datë 21.06.2023.
Më tej, Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të gjyqtarit z. {…}.
Gjithashtu, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të gjyqtarit z. {…}.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimet përkatëse për përfundimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr.18, datë 18.01.2023, për kandidaten znj. Adelajda Gjuzi dhe kandidatin z. Edvan Veçani, për shkak të tërheqjes së tyre nga kandidimi për këtë pozicion.
Këshilli miratoi vendimet për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të kandidimit dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit për kandidatët:
• Znj. Alma Kodraliu për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr. 499, nr. 500 dhe nr. 501, datë 21.11.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
• Znj. Alma Kolgjoka për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 500, datë 21.11.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor; dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit”;
• Znj. Nurjeta Pogaçe për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr. 499, nr. 500 dhe nr. 501, datë 21.11.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor
• Znj. Oltjona Goxha për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 501, datë 21.11.2022, si dhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale të shpallur me vendimin nr. 502 dhe nr. 504, datë 21.11.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.